Zelensky falënderon Scholzin për dërgimin e tankeve Leopard 2 në Ukrainë
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ka reaguar pas vendimit që mori Gjermania për të dërguar tanket Leopard 2 në Ukrainë.
Zelensky në rrjetin social në Facebook, ka shkruar se “është falënderues” ndaj kancelarit gjerman Olaf Scholz.
“Tanket gjermane, zgjerimi i mbështetjes në fushën e mbrojtjes dhe misioni për trajnim, është një dritë e gjelbër e partnerëve për dërgimin e armëve tjera të ngjashme. Sapo dëgjova për këto vendime të rëndësishme gjatë një bisede telefonike të realizuar me kancelarin gjerman Scholz. I jam falënderues, sikurse të gjithë miqve tanë në Gjermani”, ka shtuar Zelensky.
E para tij ka reaguar edhe ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov, i cili tha se tanket gjermane Leopard 2 do të duken “bukur” në Ukrainë.
Në anën tjetër, sonte presidenti amerikan Joe Biden pritet t’i drejtohet publikut lidhur me situatën në Ukrainë, ku edhe pritet të bëhet i ditur vendimi për dërgimin e tankeve Abrams.
Rruga Press