Rrëfimi për fluturimin më të gjatë në botë – piloti kaloi më shumë se dy muaj në ajër
Në fund të gushtit të kaluar, një dron me energji diellore i quajtur Zephyr, pothuajse theu një rekord në fushën e aviacionit.
Aeroplani pa pilot, i operuar nga ushtria amerikane dhe i prodhuar nga Airbus, fluturoi për 64 ditë, 18 orë e 26 minuta përpara se të rrëzohej papritur në Arizona – vetëm katër orë para se të thyente rekordin për fluturimin më të gjatë – pa ndërprerë, raporton cnn.
Ky rekord u vendos 64 vjet më parë, në vitin 1959, nga Robert Timm dhe John Cook, të cilët fluturuan me një aeroplan të vogël në qiellin mbi Las Vegas për 64 ditë, 22 orë dhe 19 minuta.
Por, është mbresëlënëse se si Zephyr – një aeroplan i lehtë me teknologji moderne – arriti të fluturonte aq gjatë në mënyrë autonome, megjithëse nuk e theu rekordin.
Megjithatë, Timm dhe Cook arritën të qëndronin në ajër për shumë kohë, edhe pse nuk kishin teknologji sikurse të Zephyr-t.
Problemi i karburantit
Në vitin 1956, hoteli dhe kazinoja Hacienda u hap në skajin jugor të Las Vegasit, Nevada.
Ishte një nga resortet e para familjare në Las Vegas dhe në kërkim të publicitetit. Pronari i hotelit mori një sugjerim nga njëri prej punonjësve të tij: të fluturojë me një aeroplan duke ekspozuar emrin e hotelit në të dhe ta shfrytëzojë për ta thyer rekordin e qëndrueshmërisë në ajër – pothuajse 47 ditë dhe që ishte arritur në vitin 1949.
Punonjësi, një ish-pilot i Luftës së Dytë Botërore dhe i cili merrej kohë pas kohe me riparimin e aeroplanëve, Robert Timm, mori 100 mijë dollarë për të organizuar ngjarjen.
Timm kaloi muaj të tërë duke modifikuar aeroplanin e zgjedhur, Cessna 172.
“Ishte një dizajn relativisht i ri”, thotë Janet Bednarek, një historiane e aviacionit dhe profesoreshë në Universitetin e Daytonit.
“Është një aeroplan me katër vende dhe ishte mjaft i lehtë për t’u drejtuar – diçka që nuk duhet t’i kushtoni vëmendje në çdo moment”, tha ajo.
Modifikimet përfshinin një dyshek për të fjetur, një lavaman të vogël çeliku për higjienën personale, heqjen e pjesës më të madhe të pajisjeve të brendshme për të kursyer peshën dhe një autopilot.
“Gjëja më rëndësishme, megjithatë, ishte zbulimi i mënyrës për ta furnizuar me karburant”, thotë Bednarek dhe shtoi, “Ka pasur shumë eksperimente të ndryshme deri në pikën e furnizimit me karburant. Por, në të vërtetë nuk ekzistonte asnjë mënyrë se si do të modifikohej aeroplani për ta furnizuar me karburant në ajër. Kështu ata vendosën një rezervuar shtesë në aeroplan që mund të furnizohej nga një kamion në tokë. Kur duhej të furnizoheshin me karburant, ata fluturonin shumë ulët dhe më pas vinte kamioni, ku përmes një zorre transferonte karburantin në aeroplan. Ishte vërtet një shfaqje dramatike e aftësisë ajrore, sepse ata duhej ta bënin atë ndonjëherë gjatë natës dhe kjo kërkonte njëfarë saktësie gjatë fluturimit”.
Hera e katërt është një bukuri
Tre përpjekjet e para të Timmit për arritjen e një rekordi përfunduan papritur për shkak të dështimeve mekanike, ku më së gjati në ajër qëndroi rreth 17 ditë.
Në shtator 1958, megjithatë, rekordi i rri u arrit nga një ekip tjetër, gjithashtu duke fluturuar me një Cessna 172.
Për përpjekjen e katërt, Timm zgjodhi John Cook, i cili ishte gjithashtu një mekanik aeroplani, si bashkë-pilotin e tij të ri, pasi nuk po mund të merrej vesh me të mëparshmin.
Ata u nisën më 4 dhjetor 1958, nga aeroporti McCarran në Las Vegas. Ashtu si në përpjekjet e kaluara, hapi i parë ishte fluturimi i ulët me një shpejtësi të veturës.
“Nuk do të kishte asnjë mënyrë për të gjurmuar nëse kanë aterruar fshehurazi dhe nuk ishte vërejtur”, thotë Bednarek, “Kështu ata lyen një shirit të bardhë në të paktën njërën prej gomave. Nëse do të kishin zbritur ndonjëherë para kohe, ata do të kontrollonin gomat nëse ndonjëra është gërvishtur”.
Fluturimi shkoi pa probleme në fillim dhe çifti e kaloi ditën e Krishtlindjes në ajër. Sa herë që furnizoheshin me karburant – mbi një pjesë të rrugës përgjatë kufirit Kaliforni-Arizona – merrnin gjithashtu furnizime të tjera duke përfshirë edhe ushqime.
Nevojat fiziologjike i kryenin në një tualet kampi të palosshëm gjersa qeset e mbushura të plastikës më vonë i hidhnin në shkretëtirë.
Një platformë e zgjatur në anën e bashkë-pilotit ofronte më shumë hapësirë për higjienë (një litër ujë për banjë do të dërgohej çdo të dytën ditë).
Të dy do të flinin me radhë, megjithëse zhurma e pandërprerë e motorit dhe dridhjet aerodinamike u bënin të pamundur një natë të qetë. Si rezultat i mungesës së gjumit, në ditën e 36-të, Timm dremiti paksa dhe aeroplani fluturoi vetë për më shumë se një orë, në një lartësi prej vetëm 122 metrash.
Autopiloti u kishte shpëtuar jetën – megjithëse do të ndalonte së funksionuari plotësisht vetëm disa ditë më vonë.
Fundi, më në fund
Në ditën e 39-të, dështoi pompa elektrike që dërgonte karburant tek rezervuarët e aeroplanit, duke i detyruar ata të fillonin të kryenin operacionin me dorë. Kur më në fund thyen rekordin, më 23 janar 1959, lista e dështimeve teknike përfshinte, ndër të tjera, ngrohësin e kabinës, matësin e karburantit dhe dritat e aterrimit.
“E rëndësishme ishte që motori vazhdonte të punonte, gjë që është me të vërtetë disi e mrekullueshme. Është një kohë e gjatë e fluturimit. Edhe nëse e mbani aeroplanin vetëm me karburant dhe vaj, vetë nxehtësia dhe fërkimi do të shkaktonin probleme”, thotë Bednarek.
Sidoqoftë, të dy mbetën në ajër dhe vazhduan të lëviznin për aq kohë sa të ishte e mundur, për t’u siguruar që rekordi i tyre i ri do të ishte i pamundur të thyhej. Ata duruan edhe për 15 ditë të tjera, përpara se të aterronin përfundimisht në McCarran më 7 shkurt 1959, pasi kishin fluturuar pa ndalesë për më shumë se dy muaj dhe kishin përshkruar 241401 kilometra.
“Ata menduan se kishin arritur pikën ku askush tjetër nuk do ta provonte këtë – dhe askush nuk e ka bërë deri më tani”, shton Bednarek.
“Unë mendoj se ata kishin arritur në një përfundim dhe vendosën se nuk do t’u kishte sjellë ndonjë të mirë të përplaseshin dhe kështu zbritën në tokë. Ata ishin në gjendje mjaft të keqe: Ne e dimë se një periudhë e tillë pasiviteti mund të jetë shumë e keqe për trupin, edhe pse lëviznin në aeroplan, ata nuk mund të ngriheshin në këmbë ose të shtriheshin dhe sigurisht që nuk mund të ushtronin”.
A do të mposhtet ndonjëherë ky rekord nga një ekuipazh njerëzor?
Bednarek beson se kjo mund të ndodhë vetëm nëse përpjekja përfshin një aeroplan që teston një formë të re burim energjie.
Gjithsesi, kushdo që aspiron të provojë, duhet t’i kushtojë vëmendje paralajmërimit të bashkë-pilotit John Cook.
“Herën tjetër që do të ndihem në disponim për të bërë një fluturim të qëndrueshmërisë, do ta mbylli veten në një kosh plehrash së bashku me fshesën e korrentit, ku Bob [Timm] do të më shërbejë biftekë, i cili do të ruhej në një shishe plastike. Kjo do të thotë, derisa psikiatri im të nis punën në mëngjes”, përfundoi ai.
Rruga Press