97 për qind e afganëve në varfëri, miliona vajzave iu ndalua shkollimi
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka njoftuar se 97 për qind e afganëve jetojnë në varfëri, që nga marrja e pushtetit nga talebanët, në gushtin e 2021-s.
Sipas një raporti të publikuar nga BBC-ja të martën, dy të tretat e popullsisë kanë nevojë për ndihmë humanitare dhe rreth 20 milionë banorë përballen me urinë akute.
“Gjysma e popullsisë urgjentisht ka nevojë për qasje në ujë të pastër dhe kanalizime. Rreth 1.1 milionë vajza adoleshente janë të ndaluara nga shkolla. Rreth 7 milionë shtetas afganë mbeten në vendet fqinje”, njoftoi OKB-ja në raport.
BBC-ja ka marrë intervista nga gratë afgane, që iu ka ndryshuar jeta qëkur talebanët pushtuan vendin. Ato i rrëfyen vështirësitë aktuale të jetesës dhe shkëputjen totale nga jeta publike.
Një ish-oficere policie që kishte shërbyer para pushtimit të talebanëve, deklaroi se jetën e ka shumë të mbyllur. 23-vjeçarja, identiteti i të cilës mbeti anonim, deklaroi se më parë zgjohej në orën 05:30 të mëngjesit dhe bënte stërvitje para punës.
“Por tani, fatkeqësisht, nuk kam çfarë të bë bëj. S’kam orar specifik dhe do të rrija në shtëpi gjatë gjithë ditës sepse nuk na lejohet të shkojmë në punë, në universitet, apo të bëjmë ndonjë lloj aktiviteti”, shtoi ajo.
Ajo theksoi për mediumin se dikur ndihmonte Afganistanin me shërbimin policor, ndërsa tash s’ka çka të bëjë.
“Ne do të kishim qenë të zëzë duke ndihmuar dhe shërbyer popullit të vendit tonë. Por, nuk mund të bëj më asgjë për veten time”, shtoi ajo.
Ndërsa, një rrobaqepëse afgane deklaroi se ishte e njohur për modelet e saj tradicionale dhe shumëngjyrëshe, por që tash s’ka çfarë të punojë.
“Nuk kam çfarë të bëj kur zgjohem në mëngjes. Bëj namazin, përgatis mëngjesin dhe pastroj shtëpinë. Dyqani im është i mbyllur, gratë nuk lejohen të punojnë. Klientët e mi vazhdojnë të më pyesin pse e kam mbyllur dyqanin tim. Unë iu them që nuk mund ta kem dyqanin, por mund t’ua përgatis rrobat tuaja në shtëpi”, deklaroi ajo.
Sipas rrobaqepëses, shtëpia e saj është e vogël dhe nuk ka mundësi ta ushtrojë zanatin aty.
“Mund të qep vetëm rroba të thjeshta për shtëpinë time, por jo fustane nusërie apo fustane feste sepse s’kam pajisje…Pas marrjes nën kontroll (nga talebanët v.j.), unë e kisha zhvendosur dyqanin tim nga tregu në një fshat. Por edhe në fshat ata erdhën fizikisht dhe më kërkuan të mbyllja dyqanin. Iu shpjegova se kisha një kontratë njëvjeçare me pronar dhe se jam i vetmi mbajtës i familjes. Ata thanë se kishin urdhër nga drejtuesit e tyre dhe se gratë nuk lejohen të punojnë”, shtoi ajo.
Por, ndryshe mendon mësuesja e medresesë Omaro Taha. Ajo tha se tash ndihet më e sigurt nën pushtimin taleban, pasi vajzat dhe djemtë mund të mësojnë, të ndarë mes vete.
Aktivistja e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Mahbouba Seraj, deklaroi se në Afganistan gratë po fshihen nga jeta publike.
Rruga Press