Grevë kombëtare në Francë, punëtorët protestojnë kundër reformës së pensioneve
Franca është përfshirë nga grevat e punëtorëve, për shkak të vendimit për të rritur moshën e daljes në pension për punëtorët.
Grevat ndërprenë shërbimet e trenave, fluturimet, shkollat dhe bizneset ditën e sotme, ndërsa sindikatat e punëtorëve drejtuan protesta të mëdha kundër planeve të qeverisë për të rritur moshën e daljes në pension për shumicën e punëtorëve.
Parisi, Marseja, Tuluzën, Nanten dhe Nisën, u përfshinë nga protestat, ku si pasojë u bllokua transporti. Po ashtu dhe kulla Eifel është e mbyllur për vizitorët.
Tetë nga sindikatat më të mëdha kishin bërë thirrje për një “ditën e parë të grevave dhe protestave” kundër reformave të pensioneve të shpalosura nga qeveria e Presidentit Emmanuel Macron. Legjislacioni do t’u kërkojë qytetarëve francezë të punojnë deri në 64 vjeç, nga 62 që janë aktualisht, për t’u kualifikuar për një pension të plotë shtetëror.
Sekretari i përgjithshëm i sindikatës “CGT”, Philippe Martinez, në një prononcim për mediat ka thënë se ai priste që numri i përgjithshëm i protestuesve të kalonte 1 milion.
Linjat e trenave në të gjithë Francën kanë ndalur shërbimin, ndërsa linjat e metrosë në Paris u goditën nga mbyllja e plotë ose e pjesshme.
Të përshirë në protesta janë dhe më shumë se 40% e mësuesve të shkollave fillore dhe mbi 1/3 e atyre në gjimnaze, sipas raporti të ministrisë së Arsimit të Francës.
Për të ruajtur rendin dhe qetësinë, ministri i Brendshëm i Francës Gerald Darmanin ka deklaruar dje se mbi 10,000 policë dhe personel ushtarak do të vendosen në protesta, duke përfshirë 3,500 oficerë të stacionuar në Paris.
Rruga Press