Rritet lista e vendeve që bllokojnë TikTok-un në SHBA
AP
Uiskonsin dhe Karolina e Veriut u janë bashkuar të paktën 22 shteteve të tjera në ndalimin e aplikacionit popullor të mediave sociale, TikTok, në pajisjet shtetërore.
Edhe shtete të tjera amerikane, përfshirë Misisipin, Indianën, Luizianën dhe Dakotën e Jugut, kanë marrë një vendim të ngjashëm.
Kongresi, gjithashtu, kohët e fundit ndaloi TikTok-un nga shumica e pajisjeve të lëshuara nga Qeveria amerikane, për shkak të shqetësimeve të dy partive lidhur me sigurinë.
TikTok është në pronësi të ByteDance, një kompani kineze që e zhvendosi selinë e saj në Singapor në vitin 2020.
Ky aplikacion është vënë në shënjestër nga kritikët që thonë se Qeveria kineze mund të ketë qasje në të dhënat e përdoruesve, sikurse është historia e kërkimeve dhe vendndodhja. Forcat e armatosura amerikane gjithashtu e kanë ndaluar aplikacionin në pajisjet ushtarake.
TikTok përdoret nga dy e treta e adoleshentëve amerikanë dhe është bërë domeni i dytë më i popullarizuar në botë.
Por, prej kohësh ka pasur shqetësime dypartiake në Uashington se Pekini do të përdorte fuqinë ligjore dhe rregullatore për të marrë në posedim të dhënat e përdoruesve amerikanë ose për të provuar që të shtyjë përpara narrativë pro-Kinë ose të përhapë dezinformata.
Në këtë tekst mund të mësoni më shumë për vendimin e shteteve amerikane Uiskonsin dhe Karolina e Veriut dhe lidhur me debatin më të gjerë rreth TikTok-ut.
Cilat janë shqetësimet më të mëdha për TikTok-un?
Si FBI-ja, ashtu edhe Komisioni Federal i Komunikimeve, kanë paralajmëruar se të dhënat e përdoruesve të TikTok-ut mund të ndahen nga pronari ByteDance Ltd. me Qeverinë autoritare të Kinës. Zyrtarët amerikanë kanë shprehur shqetësim gjithashtu se Qeveria kineze mund të përdorë TikTok-ut për të nxitur narrativë ose dezinformata pro-Pekinit.
Frika u rrit nga lajmet në vitin e kaluar se një ekip me bazë në Kinë ka pasur qasje në mënyrë të parregullt në të dhënat e përdoruesve amerikanë të TikTok-ut, përfshirë edhe në të dhënat e dy gazetarëve, si pjesë e një programi të fshehtë mbikëqyrjeje për të zbuluar burimin e rrjedhjeve të informacionit në media.
Ekzistojnë gjithashtu shqetësime se kompania po dërgon të dhënat e përdoruesve në Kinë, duke shkelur rregullat e rrepta evropiane të privatësisë.
Për më tepër, ka pasur shqetësime për përmbajtjen e TikTok-ut dhe nëse ajo dëmton shëndetin mendor të adoleshentëve.
Rruga Press