Kurti: Rritëm 100 milionë euro më shumë buxhetin e komunave, duhet të fokusohemi që shpenzimi të jetë transparent
Kryeministri Albin Kurti gjatë takimit me kryetarët e komunave të Kosovës ka thënë se buxheti për këto është rritur 100 milionë euro më shumë.
Kurti në këtë mbledhje ka kërkuar llogaridhënie dhe transparencë në harxhimin e buxheteve.
“Për nivelin komunal ka një rritje të buxhetit prej 100 milionë eurove. Kjo duhet të reflektojë edhe me rritjen e cilësisë në terren, të shërbimeve komunale karshi qytetarëve tonë, mirëqenies, edukimit, shëndetësisë, sportit, rinisë e kulturës dhe zhvillimit socio-ekonomik”, tha Kurti, shkruan Telegrafi.
“Duhet fokusuar që shpenzimi i buxhetit të jetë transparent dhe llogaridhënës ndaj qytetarëve”, shtoi ai.
Sipas tij, në këtë vit janë planifikuar që të shtohen disa pozita të reja për inspektoratet.
“Për vitin 2023 i kemi shtuar 240 pozita të reja për inspektoratet, që të mbrohen të drejtat e punëtorëve dhe cilësia e shërbimeve”, theksoi Kurti.
Në fund, ai ka përmendur edhe subvencionimin e energjisë që është bërë për qytetarët dhe bizneset.
“Kemi distribuuar 95 milionë euro për subvencionimin e energjisë, për t’i ndihmuar qytetarët dhe bizneset. U ndanë 6 milionë euro për eficiencën e energjisë”, ka përfunduar ai.
Në takim kanë marr pjesë edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, si dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Rruga Press