Lajme

Enigma/ Të kujt janë 300 mijë eurot “pa pronar” që rrëmbeu pastruesja

E gjithë vemendja e opinionit publik pas njohjes me bëmat e pastrueses, që grabiste shtëpitë e zyrtarëve të shtetit, është fokusuar tek personi i Alda Klosit. Në fakt, ish shefja e kabinetit të Arben Ahmetajt, që është marrë me koncesionet e inceneratorëve dhe me projektet e rindërtimit është targeti perfekt për të ngritur pyetjen: Pse një nënpunëse e lartë qeveritare duhet të mbajë para të fshehura në shtëpi?

Dhe kështu, kjo grua e divorcuar pak kohë më parë, që ishte zhvendosur bashkë me të bijën në një banesë me qera në “rrugën e kosovarëve” është shndëruar në tabelën e qitjes të një mase të gjërë të opinionit, që ndihet e grabitur dhe e nëpërkëmbur nga nëntë vite pushteti sfilitës të rilindjes. Këtë ndjesi e kanë shtuar edhe më shumë rrëfimet plot gropa të vetë protagonistes Alda Klosi, që herë pohon se i ka paratë të deklaruara e herë se ato i kishte në ruajtje, në favor të xhaxhait që gjendet në SHBA.

Por, ndonëse çdo lloj hetimi dhe gjurmimi të 120 mijë eurove dhe 30 mijë dollarëve të Alda Klosit, i duhet shkuar deri në fund, sepse si nënpunëse e shtetit ajo nuk mund të mbajë cash në banesë më tepër se 1.5 milionë lekë të reja, duket se kjo është hallka më e vogël e këtij skandali. Ja sepse.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti merr pjesë në përurimin e bibliotekës e re në Komunën e Shtimes

Ashtu sikurse deklaroi fillimisht policia në banesën e të akuzuarës Rozeta Dobi u gjetën diçka më shumë se 400 mijë euro. Nga këto vetëm më pak se 1/3 ishin të Alda Klosit. Të tjerat i përkasin familjeve që po ashtu janë grabitur nga pastruesja.

Por, ashtu sikurse është bërë e ditur ajo punonte në shtëpi të tjera zyrtarësh të lartë dhe për ata nuk flet askush. Këtë të hënë, përpara gjykatës, ku po zhvillohej seanca e masës së arrestit për të dy pjestarët e familjes Dobi, nënë e bir, as nuk u përmendën fare pronëarët e mistershëm të afro 300 mijë eurove të tjera. Lapsi.al e ka lexuar në çdo rresht procesverbalin e seancës dhe aty mungojnë emrat e viktimave të tjera. Ato nuk i tregojnë as policia as vetë të akuzuarit.

Çdo mendje normale e kupton se nuk bëhet fjalë për njerëz të thjeshtë. Një familje e zakonshme mund të mbajë në shtëpi para xhepi, qoftë edhe disa mijëra euro, po vetëm ata që fshehin paratë e pista mund ta pasurojnë një pastruese me 400 e ca mijë euro. Ka dhe një pyetje tjetër: po nëse e mësuan që Rozeta Dobi kishte dorë, ata që u mungonin ato paratë e tjera në shtëpi, pse nuk u bënë të gjallë? Apo mos vallë kishin më shumë për të humbur se sa për të fituar duke rikuperuar disa dhjetra mijëra euro?

Lexo më shumë  Kurti mirëpret në një takim Afrim Gashin, kryetarin e Kuvendit të RMV-së

Dalja e emrave të tyre ka shumë rëndësi. Se ajo dëshmon se rasti i Alda Klosit që “ruante paratë e xhaxhait”, nuk është i veçuar, por se mund të ketë edhe të tjerë si puna e saj që paratë e padeklaruara i mbajnë të fshehura.

Pse po heshtet për këtë? Apo mos vallë se kjo është një dëshmi e pastër e metastazave të korrupsionit? Apo mos vallë se ajo tregon qëllimin e vërtetë se pse po kërkohet me ngulm një amnisti fiskale?

Policia dhe Prokuroria që po ruajnë me fanatizëm identitetin e të tjerëve që u grabitën nga Dobët nënë e bir, përpara se të gëzohen me triumfin e kapjes të dy hajdutëve ordinerë, duhet të preokupohen për ti bërë ata të penduar dhe bashkëpunëtorë të drejtësisë. Kjo çështje mund të quhet e zbardhur vetëm kur të dëshmohen me emra dhe mbiemra se cilët janë ata që mbajnë poshtë dyshekut, paratë e ryshfeteve, tenderave dhe licensave./Lapsi.al

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *