Çekia asgjëson 750.000 pula për shkak të gripit të shpezëve
Një fermë në Republikën Çeke ka urdhëruar asgjësimin e 750.000 pulave – 15 përqind të totalit të pulave në gjithë shtetin – teksa Evropa po tenton që të frenojë shpërthimin më të madh të gripit të shpezëve ndonjëherë, thanë autoritetet më 4 janar.
Ferma e pulave, që ka urdhëruar asgjësimin e shpezëve, gjendet në fshatin Brod nat Tichou, dhe është një prej fermave më të mëdha në Republikën Çeke.
Javëve të fundit, disa ferma çeke, po ashtu, janë prekur nga virusi që është duke bërë kërdi në fermat në mbarë Bashkimin Evropian.
“Situata është shumë serioze. Dhjetë raste të shpërthimeve të reja janë regjistruar në dhjetor në Çeki dhe situata është duke u rënduar”, tha përmes një deklarate Administrata Shtetërore e Veterinarisë, SVS.
SVS-ja gjatë këtij viti ka regjistruar katër raste të shpërthimeve të reja dhe çmimi i vezëve është rritur për shkak të asgjësimit të shpezëve në Brod and Tichou.
Muajin e kaluar, fermerët çekë u urdhëruan që t’i mbajnë shpezët e tyre në ambiente të mbyllura me qëllim të parandalimit të virusit mjaft të transmetueshëm H5N1, që mund të transmetohet edhe te njerëzit.
Autoritetet shëndetësore evropiane muajin e kaluar paralajmëruar se kontinenti po përballet me shpërthimin “më të rëndë” të këtij virusi, teksa janë vrarë miliona shpezë.
Afër 2.500 raste shpërthimesh të gripit janë regjistruar në ferma në 37 shtete evropiane që nga tetori i vitit 2021 deri në shtator të vitit 2022 dhe si rezultat i shpërthimeve janë asgjësuar rreth 50 milionë shpezë.
Autoritetet shëndetësore po e studiojnë mundësinë që të përdorin vaksina për të parandaluar përhapjen e virusit.
Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve ka thënë se rreziku që njerëzit të infektohen është i ulët dhe rreziku është “i ulët deri mesatar” për personat që punojnë me shpezë dhe në pulari.
Rruga Press