Yoon: Koreja e Jugut duhet t’i përgjigjet çdo provokimi të Koresë së Veriut
Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol, tha çdo provokim i Koresë së Veriut duhet të përballet pa hezitim me hakmarrje, pavarësisht armëve bërthamore që ka Phenjani.
Këto komente të lëshuara nga zyra e presidentit jugkorean erdhën pasi dronët e Koresë së Veriut hyn në territorin e Jugut.
Pesë dronë të Koresë së Veriut kaluan në territorin e Koresë së Jugut të hënën, duke detyruar ushtrinë e Jugut që të aktivizojë avionët dhe helikopterët luftarakë për t’i rrëzuar dronët.
Kjo ishte hera e parë që nga viti 2017 që Koreja e Veriut ka bërë një inkursion të tillë.
“Ne duhet të ndëshkojmë me të hakmerremi ndaj çdo provokimi të Koresë së Veriut. Ky është mjeti më i fuqishëm për të zmbrapsur provokimet”, tha Yoon gjatë një takimi me këshilltarët e tij.
“Ne nuk duhet të kemi frikë apo të hezitojmë vetëm pse Koreja e Veriut ka armë bërthamore”, shtoi ai.
Inkursioni i së hënës nxiti kritika në Korenë e Jugut për aftësitë mbrojtëse të shtetit. Yoon kritikoi ushtrinë për dështimin që të rrëzojë dronët, të cilët fluturuan për orë të tëra mbi territorin e Koresë së Jugut.
Ushtria e Koresë së Jugut kërkoi falje për mënyrën se si është përgjigjur pas futjes së dronëve të Koresë së Veriut, duke argumentuar se dronët ishin shumë të vegjël dhe ishte vështirë që të rrëzoheshin.
Koreja e Jugut, më pas u kundërpërgjigj duke dërguar dronë mbi Korenë e Veriut, të cilët fluturuan për tri orë.
Raportet midis Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut kanë qenë të tensionuara për dekada me radhë, por tensionet janë rritur që kur Qeveria e Yoonit mori mandatin në muajin maj dhe tregoi se ka një politikë më të ashpër me Veriun.
Rruga Press