Kurti për barrikadat: KFOR-i na kërkoi pak kohë, por s’mund të tolerojmë deri në pafundësi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të shtunën se edhe pse KFOR-i ka kërkuar pak kohë për heqjen e barrikadave në veri të vendit, tashmë janë bërë dy jave prej kur ato janë vendosur.
Në një konferencë për media, Kurti deklaroi se Kosova nuk mund të tolerojë deri në pafundësi, pasi siç tha, barrikadat po e pengojnë lirinë e lëvizjes.
“KFOR-i ka kërkuar pak kohë, por sot janë bërë dy javë prej kur janë vendosur barrikadat. Ato janë duke e penguar lirinë e lëvizjes. Ne i kemi dhënë kohë pikërisht për shkak se liria e lëvizjes është konsideruar vlera themelore në Republikën e Kosovës nga pikëpamja e KFOR-it”, u shpreh ai.
“E tash lirinë e lëvizjes nuk e kemi sepse kemi 11 barrikada që janë vendosur, të cilat siç e dini ju të gjithë nuk janë civile, por barrikada të njerëzve të uniformuar e të armatosur. Ato janë të pozicionuara në atë formë që më shumë kanë të bëjnë për ta mbrojtur personin e uniformuar për të shtënë drejt veturave që vijnë se sa të mos lejojnë tejkalimin e automjeteve në pjesën tjetër të barrikadës”.
Tutje, kreu i ekzekutivit tha se pas Krishtlindjeve do të zhvillojë takim me komandantin e KFOR-it, ku do të sqarohet gjithçka.
“Meqë sonte është Krishtlindja, ne shumë shpejt do ta kemi një takim me komandantin e KFOR-it por kjo nuk mund të tolerohet kështu pafundësisht dhe mund të lejojmë që edhe javë të tjera të na kalojnë e të mos kemi liri të lëvizjes. Në atë takim që do të kemi besoj se do të sqarohet gjithçka”.
Komuniteti ndërkombëtar, përfshirë SHBA-në dhe BE-në, bënë disa herë thirrje që tensionet në veri të Kosovës të zgjidhen me dialog.
Autoritetet në Kosovë thanë se kanë kapacitete për largimin e barrikadave të ngritura në veri, por se i kanë dhënë kohë misionit të NATO-s, KFOR, që ta bindë komunitetin lokal që t’i largojë vetë ato.
KFOR nuk iu përgjigj interesimit të REL-it nëse planifikon ndonjë aksion në veri.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se barrikadat do të largohen kur të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Prishtina zyrtare e kundërshton.
Rruga Press