Kurti: Procesi i Berlinit, mundësia më e mirë për bashkëpunim mes vendeve të Ballkanit Perëndimor
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të martën në takim sekretaren e Shtetit në Ministrinë Federale të Mbrojtjes së Gjermanisë, Siemtje Moller, njëherësh zëvendësministre e Mbrojtjes.
Në këtë takim, Kurti ka vlerësuar rolin dhe mbështetjen e Gjermanisë dhe ka ritheksuar rëndësinë që Qeveria e Kosovës i kushton Procesit të Berlinit, si mundësia më e mirë për bashkëpunim mes vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor për integrim në Bashkimin Evropian.
Ai më tej ka shprehur mirënjohje për kontributin e dhënë nga Republika Federale e Gjermanisë për çlirimin, pavarësimin dhe shtetndërtimin e Kosovës.
“Duke e falënderuar për kontributin e Gjermanisë në KFOR, kryeministri theksoi rolin dhe rëndësinë që ka KFOR-i në Kosovë”, thuhet më tej në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.
Në takim thuhet se është biseduar për mbështetjen që i është dhënë Kosovës në qëllimin e saj për përgatitje për aplikim dhe pranim në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, si dhe në organizata tjera ndërkombëtare.
“Sekretarja Möller vlerësoi marrëdhëniet e mira dhe të thella ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë. U theksua se vizitat e shpeshta të nivelit shtetëror i rikonfirmojnë marrëdhëniet e shkëlqyeshme mes Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe i shërbejnë thellimit të mëtejmë të miqësisë dhe të bashkëpunimit”, thuhet më tej në njoftim.
Rruga Press