KryesoreLajme

Kurti: E papranueshme kur çlirimtarin na e gjykojnë më rëndë se agresorin gjenocidal

Kryeministri Albin Kurti e ka quajtur të papranueshëm dënimin e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, nga Gjykata Speciale, përderisa mijëra vrasës nga Serbia as s’janë dënuar a gjykuar për krimet e tyre në Kosovë e Ballkan.

Në një shkrim në Facebook, Kurti ka thënë se “lufta e çdo populli kundër pushtuesve e okupatorëve është e drejtë universale”.

“Është e papranueshme kur çlirimtarin na e gjykojnë më rëndë se agresorin gjenocidal. Sot e gjithmonë jemi solidarë me luftëtarët dhe me UÇK-në tonë”, ka shkruar ai.

Mustafa të premten u dënua me 26 vjet burgim për krime lufte në kompleksin në Zllash në vitin 1999. Dënimi erdhi vetëm një ditë pasi një ish-pjesëtar i “Skorpionëve” u arrestua në Greqi për drogë, pak vjet pas përfundimit të parakohshëm të dënimit që kishte marrë për masakrën në Podujevë në mars të 1999-s.

Lexo më shumë  KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës përfundojnë stërvitjen “Golden Sabre 2024”

“Masakruesi i familjes Bogujevci, Duriqi e Llugaliu, i cili vrau 16 civilë shqiptarë të papërfshirë në luftë, anëtari i njësitit famkeq që mori pjesë edhe në Masakrën e Srebrenicës ‘’Shkorpjonët’’, Sasha Cvjetani, u pat dënuar me vetëm 20 vite. Ai madje ishte liruar në vitin 2018, 3 vite e gjysmë para përfundimit të dënimit për siç thuhej ‘sjellje të mirë’, edhe pse ka vrarë fëmijë që kanë qenë duke fjetur. Sasha Cvjetani ka qenë pjesë e rezervistëve të Serbisë, që u angazhuan për gjenocid në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë. Ndërkohë vetëm dje e kuptuam që ai para ca ditësh është arrestuar në Athinë të Greqisë si pjesë e një karteli të drogës. Ndërkohë ka mijëra vrasës nga Serbia që kurrë nuk janë dënuar e as gjykuar për mizoritë që i kanë bërë në Ballkan. Vetëm 26 serbë janë dënuar për mbi 12.000 të vrarë dhe mbi 20.000 të dhunuar seksualisht në Kosovë. I bie që secili prej të dënuarve serbë mesatarisht të ketë vrarë mbi 462 shqiptarë dhe të ketë dhunuar 770 syresh. E megjithatë ata kanë marrë dënime shumë më të lehta se ai që iu dha sot Salih Mustafës, i cili ka luftuar jo për të pushtuar ndonjë vend tjetër, por për të çliruar vendin e vet”, ka shkruar më tej Kurti.

Lexo më shumë  Muja: Kontratat njëburimore janë përgjysmuar, propaganda e opozitës është e pabazë

Teksa e ka quajtur indinjues vendimin, Kurti ka pyetur se “cili është mesazhi që i jep ky verdikt ukrainasve që sot luftojnë kundër agresorit?”

“Mbetem me shpresën se institucionet e pavarura drejtësisë do ta kuptojnë padrejtësinë dhe do të reflektojnë në shkallët e tjera të gjykimit”, ka thënë tutje ai.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *