Kongresi amerikan dëshiron ta heqë Rusinë nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së
Administrata Biden është gjithashtu e interesuar të zvogëlojë ndikimin e Rusisë në Kombet e Bashkuara.
Dy ligjvënës amerikanë kanë prezantuar një rezolutë që i bën thirrje presidentit Joe Biden të largojë Rusinë nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, vetëm disa ditë përpara se pushtimi i Kremlinit në Ukrainë të arrijë 10-mujorëshin që nga nisja.
Komisioni bipartizan i Helsinkit, i cili i bëri thirrje në tetor Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken të protestojë kundër qëndrimit të Rusisë si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, kërkon që Kongresi të argumentojë se lufta e Rusisë ka shkelur “qëllimet dhe parimet e Kombeve të Bashkuara” dhe kërkon nga agjencitë e qeverisë së SHBA-së që të ndërmarrin hapa për të kufizuar privilegjet e Rusisë në OKB, megjithëse i jep administratës njëfarë dore të lirë për të përcaktuar se si mund të veprojë.
Në rezolutën e Kongresit, përfaqësuesit Steve Cohen dhe Joe Wilson thanë se Rusia kishte kryer “shkelje flagrante” të Kartës së OKB-së që e vendos në pikëpyetje të drejtën e saj për të mbajtur një vend në Këshillin e Sigurimit, duke përfshirë votimin e paligjshëm të aneksimit të katër rajoneve ukrainas, kryerjen e mizorive në qytetet e Ukrainës si Bucha, kërcënimi për përdorim të armëve nukleare dhe krijimi i rreziqeve për furnizimin e botës me ushqim.
Ukraina ka shtyrë po ashtu përpara në drejtim të idesë që Rusia të hiqet nga këshilli, megjithëse ekspertët mbeten skeptikë se përpjekje të tilla do të funksionojnë. Karta e OKB-së nuk përmban asnjë dispozitë për largimin e një anëtari të përhershëm të Këshillit të Sigurimit. Vendet mund të hiqen krejtësisht nga Kombet e Bashkuara, por për ta bërë këtë do të kërkonte një shumicë prej dy të tretave të votave në Asamblenë e Përgjithshme, duke përfshirë pëlqimin unanim të vetë këshillit.
“Rusia do të duhej të pajtohej me të, dhe kjo thjesht nuk do të ndodhë”, tha Louis Charbonneau, drejtor i OKB-së në Human Rights Watch. Kina gjithashtu nuk ka gjasa të pajtohet me një precedent të tillë.
Megjithëse rezolutat e Dhomës së Përfaqësuesve nuk janë ligje detyrues, kjo masë e bën solid të menduarit, si në Kapitol Hill ashtu edhe brenda administratës Biden, se si të frenohet ndikimi rus në Turtle Bay. Rezoluta shtyn përpara një përpjekje të mëparshme nga Komisioni i Helsinkit – i cili u krijua në vitin 1975 si pjesë e një ligji të SHBA-së, që uli tensionet përkohësisht midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik – duke i bërë thirrje Departamentit të Shtetit të nisë një proces për heqjen e Rusisë nga trupa e lartë e OKB-së.
Një ide, e mbështetur nga komisioni si dhe nga disa studiues juridikë, kërkon të sfidojë statusin e Rusisë si trashëgimtare e ulëses së Bashkimit Sovjetik në Këshillin e Sigurimit. Si një nga nënshkruesit fillestarë të traktatit që themeloi Bashkimin Sovjetik, krahas Rusisë dhe Bjellorusisë, Kievi mund të bënte një pretendim bindës se ishte i vetmi shtet pasardhës i Bashkimit Sovjetik që nuk kishte shkelur në mënyrë flagrante parimet e Kartës së OKB-së dhe të paraqiste kredencialet që një nga diplomatët e saj të zërë vendin. Duke qenë se vendosja për kredencialet është një çështje procedurale, do të kërkonte vetëm nëntë nga 15 anëtarët e këshillit që të votojnë në mbështetje të Ukrainës, ka argumentuar Thomas Grant, një studiues i lartë në Universitetin e Kembrixhit.
Realizueshmëria e një plani të tillë mbetet një temë për debat. Dhe tre dekada pasi Rusia mori vendin e Bashkimit Sovjetik, ndërmarrja e një precedenti të tillë mund të rezultojë të jetë një betejë e vështirë. “Keni para jush tre dekada të njohjes së Rusisë në këtë vend,” tha Charbonneau.
Por mospërputhja e gjatë e Rusisë, së bashku me pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, ka bërë që Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina të fillojnë të mendojnë për alternativa për të zvogëluar ndikimin e Moskës. Duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator, Bideni bëri thirrje për reforma në Këshillin e Sigurimit, duke përfshirë mundësinë e shtimit të anëtarëve të përhershëm dhe jo të përhershëm, si për vendet në Afrikë, Amerikën Latine dhe Karaibe. Shtetet e Bashkuara gjithashtu ia dolën të mërkurën të largonin Iranin nga paneli i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e grave./Foreign Policy
Rruga Press