Policia e Kosovës me përgjegjësi të lartë në funksionin e mbrojtjes/ Çdo të thotë Sovranitet?
Nga Elvis Hoxha
Sot kur në Kosovë policia e shteti është një nga institucionet që po kryen me përgjegjësi të lartë funksionin e saj të mbrojtjes së qytetarëve prej bandave të krimit të drejtuara nga një shtet gjenocidal:
Në Kosovë vazhdohet, ndërsa në Republikën e Shqipërisë duhet të lindë, mendësia se:
– Nacionalizimi i çështjeve është baza e mendimit politik shtetëror;
– Riaktualizimi i mendimit politik të Rilindjes në aktualitetin tonë;
– Integriteti i Kosovës dhe integrimi i dy republikave shqiptare është misioni aktual;
– Bota nuk duhet të reduktohet në totalitet imperial;
– Territori është operatori kyç në respektimin e njësisë konkrete të shtetit;
– Analizat që kryejmë nuk duhet të na vrasin vullnetin;
– Politika ka nevojën dhe të drejtën absolute për mendim të kualifikuar teorik dhe praktik;
– E majta dhe e djathta nuk janë dy forma të dorëheqjes prej politikës;
– Një nga konfliktet më çorganizues të ndërgjegjes së qytetarit shqiptar është ai mes profesionalizmit dhe partizmit: për qytetarin tonë profesioni kthehet nga anëtarësim i kualifikuar në prodhimin kolektiv dhe publik, në ushtrim mercenar të talentit;
– Institucionet nuk duhet të kthehen në vende ku privatizohet interesi publik dhe mbahet sekret pasuria publike;
– Në vend të strategjive holiste të bashkimit të shqiptarëve nevojiten vektorët e prodhimit dhe krijimtarisë;
– Përtacia mendore vjen nga mendimi se armiku është domosdoshmërisht më i fortë se ne;
– Korrupsioni institucional vjen nga mosbesimi që kemi në aftësitë tona për të ndërtuar shtet;
– Lindja me ndjenjën e refugjatit vjen nga fakti se mësimi i historisë te ne është një lëndë e vdekur, harresa dhe fakti që e mësojmë pa e menduar historinë e ngulfat të tashmen;
– Çdo integrim i madh e ka kusht integrimin e shqiptarëve; integrimi i natyrshëm nuk mund të zëvendësohet me integrime të gjerë në koncept: dy shqiptarë janë pakrahasueshmërisht më afër se Scholtzi dhe Orbani.
– Po ta mendojmë më së pari integrimin tonë, ne do të heqim dorë prej natyrës refugjate;
– Kritika individuale duhet të kthehet në kolektive falë analizës profesionale dhe kritikës eksperte;
– Kundër zgjidhjes ezoterike, largimit, është vetëm përgjegjësia publike e ekzistencës individuale;
Shqiptari mbetet parapolitik sepse:
– Nuk ka respekt për atë veprimtari njerëzore që quhet Politikë. Ai e konsideron politikën pazar, ndaj dhe politika e tij kthehet në pazar. Pazari është mënyra për ta kthyer politikën publike në çështje individuale.
– Në vend që të kryejë veprime në një imagjinatë sintetike publike, e mbush kohën e tij me analizën e mosguximit, dhe këtë në kushtet e mëhallës dhe klanit;
– Nuk ka respekt për strukturimin e brendshëm, por vetëm për sistemin që i vjen i gatshëm nga jashtë;
– Shteti i shfaqet si dukuri që i ka ardhur nga jashtë, ndërsa partitë si domosdoshmëri e brendshme në trajtën e klanit: mes të jashtmes së pakuptuar dhe të brendshmes së pamenduar, ai korruptohet në qëllim dhe në praktikë;
– Ngushtimi privat i profesionit i kthen trevat shqiptare, sidomos Shqipërinë, në një vend të përjetuar si banesë me qiramarrje, ndërsa dheun e huaj e kthen në banesë intime. Ndaj dhe shqiptarit, sidomos atij të Republikës së Shqipërisë, nuk i interesojnë më politikisht aktet e përfaqësimit. Ndaj dhe masa më indiferente dhe më refugjate është aktualisht klasa e mesme e profesionistëve.
– Përbërësi i dytë i klasës së mesme është shoqëria civile, e cila i përdor çështjet publike si monedhë për zgjidhjen e çështjeve private. Në një atmosferë mosbesimi te vetja, civilja në vend që të prodhojë perceptim politik, prodhon përjetim privat.
– Përbërësi i tretë janë vendet e arteve, kulturës dhe arsimit. Lënia e tyre në inercinë dhe arbitraritetin e tregut imagjinar nuk krijon asnjë premisë për të jetuarit korrekt të talentit në rendin dhe larminë e kohës. Asgjësimi i regjimeve të kohëve dhe moshave, neutralizimi i ditëve, është fshirja e përbërësit estetik të brezave: qytetet tanë janë aglomeracione mjeranë e të shëmtuar, dhe nuk ka pafuqi më të tmerrshme se ajo para shëmtisë.
Pasojat:
– shteti ynë është transhendental i huaj për subjektivitetin politik;
– shqiptari për vetë shqiptarin bëhet element i tepërt për proceset e universalitetit;
– ekzistenca pa produkt do të kthejë në natyrë të parë dhe të padiskutueshme tregtarizimin;
– arti e kultura kthehen në veprimtari të rrallë, rastësore dhe sociopate;
– universiteti në shpërndarës diplomash pa dije;
– bujqësia si veprimtari sporadike e stinës.
©Rruga Press