Kurti për Asociacionin: Kam mbajtur burg për këtë punë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia paska pritur që ai të vinte në pushtet për ta formuar Asociacionin, kur dihet që ai është kundërshtar i madh i saj.
Kurti të premten në seancë të Kuvendit, ka theksuar se ai ka mbajtur burg për shkak të kundërshtimit ndaj Asociacionit.
Kryeministri ka thënë se Asociacionin do të duhej të zbatohej atëherë kur është nënshkruar, në vitin 2013 ose 2014, me ata që e kanë nënshkruar.
“Serbia paska pritur që unë të bëhem kryeministër e të zbatohet ajo kur dihet veprimi e qëndrimi im? Pra, e paskan pritur kundërshtarin më të madh të Asociacionit për ta zbatuar Asociacionin. Edhe në aspekt politik e logjik është tërësisht e gabueshme. Po të ishte Asociacioni prioritet do ta zbatonin me ata që e kanë nënshkruar. Është shumë e qartë që nuk e duan Asociacionin si vlerë për vete por si armë kundër Kosovës. Është e vërtetë, unë kam bërë si aktivist politik e deputet opozitar kundërvajtje, por deputeti Hoti, unë kam mbajtur burg për këtë punë. Për të gjitha kundërvajtjet e mija kam mbajt burg. Shteti i së drejtës nuk është ende siç duhet sepse janë ca kriminelë të tjerë që s’janë ende prapa grilave”, ka thënë Kurti, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, se përse nuk po vepron tash, kur sa ka qenë në opozitë ka gjuajtur gaz lotsjellës në kundërshtim të Asociacionit.
“Unë nuk po kërkoj ta zbatosh, po të kërkoj përmbaju deklarimeve dhe qëndrimeve që i ke pas që i bije sille në Kuvend anulimin e asaj marrëveshjeje”, ka thënë Hoti.
Rruga Press