Lajme

Gjermania zoton 37 milionë euro për punësim e zhvillim ekonomik në Kosovë

Me përfundimin e negociatave ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Gjermanisë për bashkëpunim zhvillimor, pala gjermane është zotuar që do ta vazhdojë mbështetjen financiare ndaj Kosovës, në vlerë prej 37 milionë eurosh për periudhën 2022-2023.

Sipas njoftimit që Ministria e Financave e ka bërë të mërkurën, marrëveshja e bashkëpunimit gjermano-kosovar synon nxitjen e aftësimit profesional dhe arsimor, si dhe krijimin e vendeve të reja të punës, si bazë për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Duke u pajtuar për intensifikim të mëtejshëm të bashkëpunimit zhvillimor, Kosova dhe Gjermania do t’i adresojnë së bashku sfidat kryesore të së ardhmes. Prioritetet e bashkëpunimit zhvillimor përfshijnë: zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, trajnimin dhe punësimin, ndryshimet klimatike dhe energjinë, tranzicionin e drejtë dhe qeverisjen e mirë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Lexo më shumë  Kurti takon arkitektin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Andrija Mutnjakoviq

Sipas njoftimit theks i veçantë i është kushtuar edhe investimeve të mëtejme në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren, si projekti kryesor i bashkëpunimit zhvillimor gjermano-kosovarë. “Në lidhje me politikat energjetike, sektori publik dhe privat, si dhe shoqëria civile, do të marrin mbështetje në zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Energjisë 2022-2031 dhe Planit Kombëtar të Energjisë dhe Klimës (NECP)”, thuhet në njoftim.

Sipas Ministrisë fonde të konsiderueshme do të ndahen përmes investimeve në infrastrukturën e ujërave të zeza, siç thuhet, duke synuar mbrojtjen e burimeve ujore nëntokësore dhe lumenjve të rrezikuar.

Në përmbylljen e negociatave ka marr pjesë edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

“Sot të dyja vendet tona po hapin një kapitull të ri të partneritetit tonë të palëkundur për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës në përputhje me Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane dhe Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Me këtë ne mbështesim Kosovën në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”, citohet të ketë thënë Rohde.

Lexo më shumë  “Paralizohet” Tirana/ Tension dhe përplasje, çfarë ndodhi gjatë protestës së opozitës

Sipas njoftimit ministri i Financave, Hkuran Murati, me ketë rast ka theksuar se Gjermania ka qenë dhe vazhdon të jetë një mbështetëse e vazhdueshme e zhvillimit të Kosovës. “Ne kemi ndarë vlera të përbashkëta që nga fillimi dhe mbështetemi në mbështetjen e Gjermanisë drejt realizimin të aspiratave tona për të zhvilluar më tej Kosovën dhe për të ndihmuar vendin drejt anëtarësimit në BE”, citohet të ketë thënë Murati.

Sipas njoftimit me këtë zotim, mbështetja gjermane për bashkëpunim zhvillimor, arrin shumën prej 64.42 milionë euro që nga dhjetori 2020, kur edhe janë mbajtur negociatat e fundit qeveritare.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *