Komisioni Evropian korrigjon raportin ku i kërkonte Malit të Zi e Maqedonisë t’i vendosin viza Kosovës
Komisioni Evropian ka korrigjuar raportin në të cilin qortonte Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut që nuk kanë vendosur regjim të vizave për Kosovën.
Raporti i publikuar më 5 dhjetor tashmë është korrigjuar dhe Kosova është fshirë nga kapitujt e Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, të cilave u është kërkuar që të vendosin regjim të vizave për vendet e tjera, konform politikave të Bashkimit Evropian.
Më 6 dhjetor, zyrtarë nga Komisioni Evropian në një konferencë për media pranuan se gabimisht kanë kërkuar nga vendet e rajonit që t’i vendosin viza Kosovës.
Ata theksuan se nuk kanë ndërruar qëndrim sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën dhe se e përkrahin me prioritet lëvizjen e lirë të qytetarëve.
“Mund të konfirmoj që s’ka ndryshim të pozicionit të Komisionit Evropian. Komisioni mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën. Për këtë çështje specifike, ne e kemi sqaruar derisa folëm dhe do të lëshojmë raportin e përmirësuar”, ka thënë një zëdhënëse e Komisionit Evropian.
Rruga Press