Komisioni Evropian i kërkoi Malit të Zi dhe Maqedonisë t’i vendosin viza Kosovës, ambasadori Bajrami: Absolutisht e papranueshme
Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, e ka vlerësuar si të papranueshme që Komisioni Evropian ka qortuar Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut që nuk kanë vendosur regjim të vizave për Kosovën.
Veçanërisht sipas tij, është shqetësuese pasi Kosovës me vjet i është bërë e padrejtë duke i mohuar liberalizimi i vizave.
“Absolutisht e papranueshme që Komisioni Evropian ka listuar Kosovën si një nga shtetet e botës së tretë të cilave u duhen viza, duke i kërkuar Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut të vendosin regjim të vizave për Kosovën!”.
“Veçanërisht është shqetësuese pasi me vjet Kosovës padrejtësisht i është mohuar liberalizimi i vizave. Dyfish, pasi e gjithë kjo vjen pas marrëveshjeve të Procesit të Berlinit”, ka shkruar Bajrami në rrjetin social Twitter.
Absolutely unacceptable for @EU_Commission to list Kosovo as one of visa-required third countries asking 🇲🇪 & 🇲🇰 to introduce visas for 🇽🇰!
— Agron Bajrami (@AgronBajrami) December 5, 2022
Especially disturbing as for years Kosovo was unjustly denied #VisaLib! Double so as all this comes after Berlin Process agreements! pic.twitter.com/dJo9rDpoDc
Komisioni Evropian ka përpiluar një raport ku Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut i kërkon që të vendosin regjim vizash për Kosovën.
Në “Raportin nga Komisioni për Parlamentin Evropian dhe Këshillin – Raporti i pestë sipas mekanizmit të pezullimit të vizave”, thuhet se “Mali i Zi nuk ka marrë asnjë vendim për të rreshtuar politikën e vizave me listën e BE-së të shteteve që kanë regjim të vizave. Përkundrazi, në vitin 2021 dhe fillim të vitit 2022, Mali i Zi është larguar edhe më tej nga politika e rekomanduar. Shtetasit nga Armenia, Kazakistani, Rusia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Kuba, Ekuadori, Turqia, Katari dhe Kosova vazhdojnë të përjashtohen nga vizat për qëndrim afatshkurtër. Për disa shtete, përjashtimi është sezonal e për disa është valid gjithë vitin”.
E ngjashëm është folur edhe për Maqedoninë e Veriut.
“Maqedonia e Veriut nuk ka marrë masa në vitin 2021 për të bashkërenduar edhe më tej politikën e vizave me BE-në. Shtetasit e shteteve në vijim, të cilëve u duhen viza për të udhëtuar në BE, ende kanë qasje pa viza në Maqedoni të Veriut: Azerbajxhani, Botsuana, Kuba, El Salvadori, Kosova dhe Turqia. Çdo devijim i mëtutjeshëm nga lista e BE-së për shtetet që u duhen viza, duhet të evitohet. Maqedonia duhet të tregoj përparim në rreshtim të politikave me listën e BE-së”, thuhet tutje në raport.
Rruga Press