KryesoreSpeciale

Për betimin çlirimtar të ngjyrave

Nga Elvis Hoxha

Janë dy prirje të murit, prirja për me qenë mur i kohës dhe prirja për me qenë mur i vendit. Muri i kohës ta pushton jetën, ndërsa muri i vendit ka tjetër sjellje. Vetëm i pari ka të bëjë me ekzistencën dhe me ndërgjegjen. Natyrisht që nuk do ta kisha menduar kurrë këtë shfaqje të murit pa parë telajot e ngjyruara dhe pa lexuar faqet e shkruara nga Rexhep Selimi.

E kisha menduar shumë më parë këtë talent amfib të Rexhepit. Ritëm në muzikë, në poezi, në pikturë. Ia pata thënë atëherë. Ia pata thënë atëherë se, kur ke talentin e duhur, vetëm një arsyetim ka mos me u bë hulumtues i letërsisë: të bëhesh luftëtar i lirisë. Por deri në atë çast mendoja vetëm murin e kohës: aty dhe atëherë kur ritmin e poemës ai do ta zëvendësonte me ritmin e strategjisë së luftës.

Muri i kohës është një ndërgjegje e vendosur mbi ekzistencën. Nëse ekzistenca është një fushë, ndërgjegjja e vendosur mbi të është veprimi mbi fushën. Me një lehtësi të madhe Rexhepi e rrethoi murin kohor të luftës me të qenit student dhe të qenit poet. Lufta ishe muri i kohës. Me po atë natyrshmëri, ai e fitoi murin e luftës me poemën e muzikës mbi personazhin, mik apo luftëtar. Edhe muzika është armë për me drejtu luftën në kahjen e duhur. Një çlirimtar artist i shton armët e frymës.

Lexo më shumë  Ç’tregon celulari i tenderit që mori në qafë Benet Becin?

Por një mur i dytë u shfaq. Diçka që akush nuk e kishte menduar prej nesh ishte fati i luftëtarit, pesha mbi supet e çlirimtarit për me emancipu edhe fusha ekzistence më të gjera se atdheu. Sepse, ky lloj i dytë i murit nuk është mur pasioni që i vendoset një letrari për t’u bërë luftëtar. Jo! Ky mur i prirjes së dytë është krej tjetër gjë. Ai është mur prej vendi që gjyqtarët abstraktë rreken t’ia vendosin para shikimit të çlirimtarit të kohës.

Çlirimtari e kishte fituar një betejë me murin e kohës, duke përbashkuar përmes luftës artin dhe atdheun. Tani një mur tjetër i vendosej arbitrarisht, artificialisht mes ndërgjegjes dhe gjeopolitikës. Talenti amfib i Rexhës e gjeti edhe kësaj here veprimin strategjik mbi fushën. Dhe kjo ishte piktura. Direktivën e poemës që e kishte hedhur më parë mbi muzikën, kësaj here e vendosi mbi pikturën. Një poezi e shkruar nga liria e burgut, nga ndërgjegjja mes rrënojave të rregullta të gjepolitikave pa ideal e pa frymë, përcaktonte rolin e artit plastik mbi inercinë e mureve. Piktura është gjyqi arstit mbi fasadat artificiale të gjykimit.

Direktiva e sjelljes prej piktori ishte thënë në formën:

Ç’e shpoka gurin

Ç’e shpoka murin

Ç’e ngre Flamurin

Një copë shikim

Si betim.

Dikur ai kish thënë: “Përpiquni të ma hiqni dellin e letërsisë dhe unë e bëj ritëm lufte. Përpiquni më kot të ma hiqni ritmin e luftës në paqe perverse, por andej do t’ju nxjer një këngë dëshmori.” Tani, përmes kësaj ekspozite ai po na thotë: “Rrekuni më kot të ma hiqni lirinë, dhe unë me një shikim prej luftëtari, me një betim prej piktori, çdo mur të gjykimeve tuaj e kthej në Flamur të ekzistencës sime.” Përmbyllja emancipuese e ciklit mund të thuhet thjesht: “Ju po më gjykoni se isha çlirimtar në kohë, por tanimë do t’ju duhet të mposhtni vetë fasadat tuaja jashtë kohe”.

Ç’shihka njeriu

Tej një muri me tullë Fasade?

Tash kush qenka guri?

E thotë vetë muri!

Nuk ka Fasadë të ngurtë të vendit tuaj që mposht një Flamur të kohës sime. Të gjithë fasadën tuaj do ta lyej me ngjyrat dhe dekorin e jetës sime. E do të shohim se cili është ai që e dominon fushën e ekzistencës, se cili është ai që e dominon fushën e veprimit.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *