Vrasja e gruas shtatëzanë. Kurti: Gjithë zinxhiri i papërgjegjësisë duhet të japë dorëheqje
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka kërkuar dorëheqjen e të gjithë zyrtarëve të shtetit, përgjegjës për mostrajtimin e dhunës ndaj znj. Hamide Magashi, e cila u vra nga ish-bashkëshorti pak orë para lindjes së foshnjes së saj.
“Zinxhiri që duhet (dorë)hequr” – shkroi Kurti mbrëmë në Fb duke nënkuptuar se ata që nuk dorëhiqen vetë, duhet të shkarkohen dhe shkroi: “Sot pasdite kam aprovuar kërkesat e Grupit Ndërministror kundër dhunës në familje, pas takimit të sotëm të tyre, për rastin e vrasjes së Hamide Magashit dhe foshnjës së saj të palindur.
Në bazë të përgjegjësive që mbartin institucionet përkatëse, po bëhet: Inspektimi i punës së zyrtarëve policor, përfshirë zbatimin e urdhrit mbrojtës; inspektimi i punës së zyrtarëve në Qendrën për Punë Sociale; inspektimi i punës së zyrtarëve në repartin e gjinekologjisë në QKUK; ndarje urgjente e buxhetit për zbatim të Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës; dhe, në rastet e caktimit të urdhrit mbrojtës të bëhet bastisje e shtëpisë së personit të dyshuar.
I gjithë zinxhiri i papërgjegjësisë duhet të japë dorëheqje” ka theksuar Kryeministri i Kosovës në përfundim.
Rruga Press