Lajme

Albin Kurti për gazetën spanjolle: Rasti i Spanjës dhe Katalonisë nuk kanë të bëjnë asgjë me atë të Serbisë dhe Kosovës

Intervista e Kryeministrit Kurti për gazetën El Peridicio

Dielli e pason shiun në Bulevardin e Prados në Madrid, kur Kryeministri i Kosovës e kalon me automobil, duke shkuar në një takim diskret me ish-sekretarin gjeneral të NATO-s Javier Solana. Në kalim e sipër, politikani ballkanik, 47 vjeçar, i vështron rrezet Velesquz-iane, që përçohen mes degëve të drunjëve, që janë shpallur Trashëgimi Botërore nga UNESCO.

I tregoi se në fund të bulevardit, Bashkia e qytetit e ka rrethuar sheshin “Cibeles” me flamuj të Ukrainës. “Sa kam mbërri, nuk i paskam parë – thotë, por më duket se Putini nuk po e gjen dot rrugëdaljen. Atij i nevojitet ta humbë luftën, dhe të gjithë së bashku do t’i ndihmojmë në këtë drejtim”, përfundon me ironi.

Është hera e parë që po e shkel tokën spanjolle Albin Kurti, udhëheqës i një shteti, të cilin nuk e njeh vendi që po e viziton. Vjen këtë fundjavë në Madrid, i ftuar nga Internacionalja Socialiste (IS) dhe, njëkohësisht, të përshëndesë Pedro Sánchez-in.

President i një partie me emër aq domethënës (Vetëvendosje!), nuk është moti që Kurti, si aktivist i ri kërkonte bashkimin me Shqipërinë. Sot ballafaqohet me një pozicion konservativ dhe me një aparat administrativ të ngarkuar nga korrupsioni, të cilit i ka shpallur luftë. E përkrahin rinia, gratë dhe diaspora e madhe, e cila për t’iu shmangë problemeve të postës lokale, paguante nga xhepi 40 euro vetëm për ta dërguar votën e vetë me DHL në Prishtinë.

“Kemi marrë pjesë në takimet e IS në Gjenevë, Tel Aviv, Ramalla, dhe Bruksel. E vlerësoj lartë ardhjen time këtu. Gjithmonë më ka tërhequr ta vizitoj Spanjën”, pohon Kurti. Ka pasur rastin për një bisedë të shkurtër me Sánchez—in në kongresin e socialistëve evropianë në Berlin. Kurti ka marrëdhënie të mira me kryeministrin portugez Antonio Costa, e ky gjithashtu të mira me fqinjin e vet iberik dhe kështu u farkua takimi i parë.

El Periodico: Sipas asaj që di për ju, në figurën e Albin Kurtit gërshetohen dëshira për pavarësi dhe preokupimi social. A kemi të bëjmë me një nacionalist apo me një socialdemokrat?

Kryeministri Kurti: Jam socialdemokrat evropian, por njëkohësisht dëshiroj që të forcohet gjithnjë e më tepër shteti i Kosovës. Pavarësia, që gjithmonë e kemi dëshiruar ishte një pavarësi liridhënëse. Jo si pavarësi, që do të sillte ndonjë hegjemoni. Në federatën jugosllave ishim edhe më të varfrit edhe më të shtypurit. Qasja jonë ishte antikolonialiste.

El Periodico: A i kuptoni ju arsyet pse Spanja nuk e ka njohur Kosovën?

Kryeministri Kurti: Më vjen keq që Spanja gjendet mes pakicës së shteteve të BE-së dhe të NATO-s, që nuk e njohin Kosovën. Nga 30 vendet e NATO-s vetëm 4 nuk na njohin, e ndër to Spanja. Nga shtetet e BE-së, vetëm 5 nuk na njohin, e ndër to Spanja. Por Spanja është shteti më i madh nga ato që nuk na njohin. Besoj që kjo mosnjohje shtetërore është fryt i mosnjohjes së situatës reale. Kur ne e kemi deklaruar pavarësinë tonë, nuk e di se cili politikan spanjoll i ka formuluar disa analogji të gabueshme lidhur me Kosovën.

El Periodico: Për çka e keni fjalën?

Kryeministri Kurti: Sipas asaj që na është thënë, asobote në Spanjë ekzistonte një brengosje që pavarësia e Kosovës mund të shërbente si precedent për disa regjione të caktuara të Spanjës, që donin të ndaheshin. Besoj që shkrimtari shqiptarë Ismail Kadare, kur e mori çmimin Princi i Asturia-s, e dha argumentin më të mirë pse Spanja do të duhej ta njihte Kosovën: NATO ka intervenuar në Kosovë në pranverën e 1999-ës për të parandaluar gjenocidin që kryente regjimi i Sllobodan Millosheviqit. E nëse ndonjë politikan spanjoll sheh ngjashmëri mes Kosovës dhe Katalonisë, apo cilësdo tjetër pjesë të Spanjës, Madridi nuk do të duhej ta shihte veten si Beogradi. Vetëm në pranverën e 1999-ës, në Kosovë janë vrarë mbi 10.000 civilë të paarmatosur. Mbi 10% të tyre ishin fëmijë. U përdhunuan përmbi 20.000 femra. Dhe u dëbuan 860.000 shqiptarë nga Kosova. Në Tribunalin e Hagës u dëshmua që ishte fjala për një operacion të premedituar, të njohur me emrin Operacioni Patkoi. Vetëvendosja ishte reagim ndaj këtyre ngjarjeve. Kështu që nuk shoh se ku mund të gjenden analogji apo ngjashmëri me regjionet spanjolle. Në 1979, kohë e barazimit më të lartë të nivelit të jetës në Jugosllavi, diferenca mes Sllovenisë dhe Kosovës, ishte shtatë me një. Në të njëjtin shtet socialist! Nga Kosova nxirreshin materiet e para, ndërsa fabrikat gjendeshin në Serbi dhe pjesët tjera të Jugosllavisë. Ne ishim minatorët e ata financierët.

El Periodico: Supozoj se ju i keni përcjellë ngjarjet në Kataloni në vjeshtën e 2017. Në çka ju bëri të mendoni?

Lexo më shumë  Kurti takon arkitektin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Andrija Mutnjakoviq

Kryeministri Kurti: Ajo çka nuk na pëlqeu ishin pamjet e policëve duke goditur qytetarët. Nuk do të duhej të ishte ashtu. Na befasoi, sepse Spanja është vend demokratik. Serbia edhe sot është vend autokratik: zgjedhjet i fiton gjithnjë e njëjta parti. E kanë vrarë Gjingjiqin, jo në shekullin e kaluar por në këtë. Prandaj, ne nuk kuptonim pse në një shtet si Spanja nuk zgjidhen këto probleme  me dialog, në mënyrë demokratike dhe me pjesëmarrjen e BE-së.

El Periodico: A vazhdoni të mendoni ashtu edhe sot?

Kryeministri KurtiMë e rëndësishmja është që vetëvendosja të jetë demokratike dhe të vijë nga poshtë, e jo nga lart. Më 2014, kur Rusia e aneksoi Krimenë, rusofilët më sfidonin: “Tash që qytetarët e Krimesë po votojnë për t’u ndarë nga Ukraina dhe të bashkëngjiten me Rusinë, pse nuk i mbështetë?” Po për mua ishte e papranueshme që kutitë e votimeve t’i sjellin ushtarët. Kjo ishte një vetëvendosje e teledirigjuar nga Moska, pra vinte nga lart. Sipas mendimit tim, brenda Bashkimit Evropian, nëse ka ndarje, duhet ta përcjellin modelin e Çekisë dhe Sllovakisë.

El Periodico: Por, a ka Katalonia të drejtë për vetëvendosje?

Kryeministri Kurti: Nuk mund të shprehem mbi këtë çështje, sepse nuk e zotëroj mjaft situatën. Sidoqoftë, sipas meje, duhet të jetë rezultat i negociatave mes Madridit dhe Barcelonës.

El Periodico: Atëherë po lëmë anash obsesionin katalan…

Kryeministri Kurti: Po, ju lutem!

El Periodico:…e po ju pyes për këtë udhëtim. A do të jetë ky embrion i njohjes së Kosovës nga Spanja?

Kryeministri Kurti: Unë vij i gatshëm për debat, për bashkëpunim dhe për bisedim me të gjithë ata që munden të ndihmojnë njohjen e Kosovës nga Spanja, për shkak se është përcaktuese për hyrjen tonë në BE dhe në NATO. Spanja është faktor vendimtar për ne.

El Periodico: A ju ka dhënë ndonjë shenjë inkurajues Pedro Sánchez?

Lexo më shumë  Murati për subvencionimin e tarifave të energjisë: Plotësoni numërin e saktë të pjestarëve të familjes

Kryeministri Kurti: Takimi jonë në Berlin ka qenë i përzemërt, por nuk mund të flas për ndonjë përparim konkret. E para, çka pres nga Pedro Sánchez është që ta mbështetë integrimin tonë në Këshillin e Evropës. Pas përjashtimit të Rusisë, është momenti që të hyjë Kosova! Gjithashtu të na mbështesë që të bëhemi anëtarë e programit të NATO-s për Partnerit për Paqe. Si parapërgatitje, e kemi shtuar buxhetin ushtarak në 1,5 të Bruto Produktit Vendor. Gjithashtu kemi marrë pjesë në operacionin “Defender Europe” të vitit të kaluar, me 330 ushtarë. Ky është operacioni më i madh i NATO-s në Evropën Lindore, nga Baltiku deri te Ballkani. Do të jemi prezent edhe në edicioni e vitit 2023.

El Periodico: A e kujtoni ju të riun Albin Kurti, i cili kërkonte bashkimin me Shqipërinë? Ku është tash ky njëzetvjeçar?

Kryeministri Kurti: Qe më shumë se një shekull kemi probleme me Serbinë si tërësi e kombit shqiptar. Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete të ndryshme, por jo dy kombe të ndryshme: e njëjta gjuhë, e njëjta bazë kulturore… Shqipëria është në NATO dhe ne dëshirojmë të hyjmë gjithashtu: jemi në rrezik të përhershëm për shkak të marrëdhënieve të forta mes Serbisë dhe Rusisë.

El Periodico: Serbët e Kosovës në veri përdorin targa serbe dhe kjo ka shkaktuar një krizë, që e ka destabilizuar vendin tuaj, por duket se po i afroheni një zgjidhjeje. A konsideroni që z.Borrell a ka luajtur rolin e duhur si përfaqësues i lartë i BE?

Kryeministri Kurti: Ndoshta z. Borrell është larguar ca nga detyra e përfaqësuesit dhe nga zgjidhja që po e propozojnë Franca dhe Gjermania. Nuk besoj që mund të kërkohet nga një kryeministër të merret me çështje teknike si targat. Dhe z.Borrell do të duhej të shtyjë para një marrëveshje bilaterale të mirëfilltë me Serbinë, në vend se të merret me këto punë (me targa -shënim i përkthyesit).

El Periodico: Çfarë është roli destabilizues rus në situatën preokupuese, që po shohim në Ballkan?

Kryeministri Kurti: Qendra regjionale e Sputnik TV për Ballkan është në Beograd. E kanë gjithashtu një organizatë që e quajnë Qendra Humanitare Ruse, në Nish, 160 km nga Prishtina. Ky është emërtim cinik për të thënë se “nëse intervenimi i NATO-s në Kosovë më 1999 ishte humanitar, edhe i yni gjithashtu”. Tash Putini nuk ka të ndalur së foluri për ne. Dëshiron që Kosova të jetë shtet i dështuar. Konsideron që intervenimet e Perëndimit në Irak dhe Afganistan kanë qenë dështime dhe se Kosova është vetëm sukses i përkohshëm, se edhe ky do të dështojë. Suksesi gjithnjë më i madh i Kosovës po ia prishë gjumin. Jemi ngritur për 17 vende në listën e Transparency International falë luftës tonë kundër korrupsionit.

El Periodico: E kemi pasur një Tribunal Ndërkombëtar për të gjykuar Millosheviqin dhe bashkëluftëtarët e tij. A do të kemi diçka të ngjashme për të gjykuar Putinin dhe njerëzit e tij?

Kryeministri Kurti: Po, duhet të ketë një gjykatë të tillë. Nuk mund të lihet kjo në duart e Ukrainës, por edhe më pak në ato të Rusisë.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *