Bislimi sot takim virtual me Lajçakun: Deri në mars duhet arritur marrëveshja për normalizim
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka njoftuar se do të mbajë takim virtual të mërkurën me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Bislimi këtë e bëri të ditur në raportimin para Komisionit për Integrim Evropian.
Bislimi u takua me Lajçakun javën e kaluar në Bruksel.
“Sa i përket takimeve të radhës në Bruksel, do të ketë. Kam takim online sot me z. Lajçak, për të biseduar për hapat e radhës e të definojmë. Shumë shpejt pritet të ftohet takim i krerëve të shtetit, është zotim i Brukselit, që deri mars të vitit 2023 të përfundohen negociatat për normalizim. Kjo thuhet sipas dakordimit të arritur. Nuk është dakordim, por është deklaratë e lëshuar nga z. Borrell, mbi atë që kanë biseduar palët në Bruksel. Sipas asaj, duhet prodhuar marrëveshje normalizimi deri mars të vitit 2023”, tha Bislimi në Komision për Integrime.
Ai ka folur edhe se si është arritur të binden vendet skeptike që ishin ndaj liberalizimit të vizave për Kosovën.
“Është proces i gjatë i takimeve konsultative me vendet skeptike, ku kemi marrë burimin e problemit. Tjetër kishte Franca, tjetër kishte Belgjika, e krejt tjetër kishte Holanda. I kemi trajtuar më pas këto probleme. Para se të bëhet rivlerësimi, apo rifreskimi i raportit të vitit 2018, kemi furnizuar Komisionin Evropian me një dokument 30 faqe për statistikat në secilën fushë në udhërrëfyesin për vizat”, tha Bislimi.
Rruga Press