Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, të mërkurën në rend dite
Miratimi i vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet të jetë të mërkurën në rend dite. Ajo do të diskutohet në takimin e ambasadorëve të BE-së, në Bruksel. Në takimin e këtij grupi, të njohur si Coreper, vendimi pritet të miratohet pa diskutim. Kjo pasi vendet anëtare të BE-së janë pajtuar më 22 nëntor, në një takim të këshilltarëve për çështje të brendshme dhe drejtësi.
Teksti është përpiluar nga Çekia, e cila ka udhëheqjen aktuale të BE-së. Kjo ka ardhur pas disa takimeve të grupeve punuese dhe diskutimeve dypalëshe me vendet që kanë pasur vërejtje. Sipas versionit të fundit lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës do të jetë e mundur kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS. Data për këtë është 1 nëntori i vitit 2023.
Në rast se do të ketë vonesa për këtë sistem, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.
Kosovës, po ashtu, i kërkohet të vazhdojë të përshtatë politikën e saj të vizave me atë të BE-së. Ndërkohë i mbetet të kalojë edhe nëpër disa procedura të tjera që i kërkojnë vendet anëtare. Vendimi që do të dalë të mërkurën fillimisht u parashikua të votohej më 23 nëntor. Ai është hequr nga agjenda, për shkak të tensioneve në veri të Kosovës. Por më pas Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e BE-së, kanë arritur marrëveshje për çështjen e targave.
Krahas tekstit për liberalizimin e vizave për Kosovën, Çekia ka bërë edhe një deklaratë, me të cilën vendeve anëtare të BE-së u kërkohet që të bëjnë çmos që sistemi ETIAS të jetë funksional në datën e caktuar, përkatësisht më 1 nëntor të vitit të ardhshëm. ETIAS kërkon që qytetarët e huaj, që udhëtojnë pa viza në territorin e BE-së, t’i regjistrojnë të dhënat e tyre në këtë sistem para udhëtimit. Franca ka qenë shteti që ka këmbëngulur më së shumti që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për Kosovën, të lidhet me funksionalizimin e ETIAS-it. Ky sistem është i rëndësishëm për rritjen e sigurisë së vendeve anëtare.
Liberalizimi i vizave do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm në atë që njihet si zona Schengen. Ajo përbëhet prej 26 shtete evropiane.
Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në këtë zonë./REL
Rruga Press