Sunak: Epoka e artë e raporteve Britani-Kinë ka përfunduar
“Epoka e artë e marrëdhënieve mes Britanisë dhe Kinës ka përfunduar”, thekson kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak, duke pohuar se tashmë në botë ekziston një realitet tjetër.
Ai shtoi se qeveria e Pekinit duhet ta dëgjojë zërin e protestave dhe jo të shtypë popullin e saj.
“Ne duhet të përditësojmë qasjen tonë ndaj Kinës. Le të jemi të qartë, e ashtuquajtura ‘epokë e artë’ ka përfunduar, bashkë me idenë naive që tregtia do të çonte automatikisht drejt reformave politike dhe sociale, por as nuk duhet të mbështetemi në retorikën e thjeshtë të Luftës së Ftohtë. Ne e pranojmë se Kina paraqet një sfidë sistematike për vlerat dhe interesat tona, një sfidë që bëhet më e mprehtë ndërsa shkon drejt autoritarizmit edhe më të madh.
Në vend që të dëgjojë protestat e popullit të saj, qeveria kineze ka zgjedhur t’i godasë më tej, duke sulmuar një gazetar të BBC-së. Mediat dhe parlamentarët tanë duhet të jenë në gjendje t’i nxjerrin në pah këto çështje pa sanksione, duke përfshirë thirrjen e abuzimeve në Xinjiang dhe kufizimin e lirisë në Hong Kong”, tha Sunak.
Rruga Press