“Zgjohet” pas 38-vjetësh vullkani më i madh në botë
Ka shpërthyer për herë të parë që nga vitit i largët 1984 vullkani Mauna Loa në Havai, i cili është më i madhi aktiv në botë. Lajmi është bërë i ditur nga Shërbimi Gjeologjik amerikan, ndërsa shpërthimet e para kanë nisur mbrëmjen e së dielës.
“Aktualisht, llava është në krater dhe nuk përbën rrezik për komunitetin”, thuhet në njoftim. Megjithatë, banorët pranë vullkanit janë paralajmëruar, pasi në fazat e ardhshme shpërthimet e vullkanit mund të jenë më dinamike dhe rrjedhja e llavës mund të ndryshojë me shpejtësi.
Në orët në vijim, autoritetet vendase pritet të kryejnë edhe inspektime nga ajri të vullkanit për të bërë një parashikim sa më të saktë të situatës në vazhdim.
Shpërthimi i vullkanit pas 38 vjetësh është paralajmëruar nga dhjetëra tërmete të regjistruara më herët, disa prej të cilëve me magnitudë deri në 4 ballë.
Ishulli në Havai ku ndodhet vullkani është i banuar nga rreth 200 mijë persona. Ai është edhe shtëpia e disa personazheve të famshëm si komediania Roseanne Barr apo edhe të aktorit fitues të Çmimit Oscar Matthew McConaughey, i cili bleu shtëpinë për 7,85 milionë dollarë në vitin 2021 edhe pse pjesën më të madhe të kohës e kalon në Teksas.
Rruga Press