Lajme

25 vjet nga dalja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Sot bëhen 25 vjet nga dalja e parë në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

28 Nëntori nuk shënon vetëm festën e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë ditë, Kosova kujton daljen e parë në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 28 nëntor të vitit 1997, në fshatin Llaushë të Skenderajt, në varrimin e mësuesit të shkollës së Laushës, Halit Geci, i cili ishte vrarë nga forcat serbe.

Në varrimin e tij, si ushtarë të UÇK-së, për herë të parë para publikut, ishin paraqitur Rexhep Selimi, Mujë Krasniqi dhe Daut Haradinaj.

Deklarata e UÇK-së për paraqitjen e saj të parë publike u përgatit nga vetë ushtarët e saj.

Kjo ishte deklarata që Rexhep Selimi atë kohë e kishte lexuar:

Vëllezër dhe motra, nëna dhe baballarë, të afërm të vëllait tonë Halit Gecaj!

Në emër të Ushtrisë për çlirimin e Kosovës u shprehim ngushëllime të sinqerta dhe ju njoftojmë se e ndajmë dhembjen me ju. Populli shqiptar në trojet e veta, këtu në Kosovën e robëruar, nëpër vite e dekada ka provuar mbi supet e veta shtypjen dhe dhunën më çnjerëzore nga pushtuesit serbë. Na u vranë, na u burgosën e na u masakruan bijtë dhe bijat më të mira të popullit tonë të pambrojtur.

Një nga këto veprime të dhunës së territorit serb është edhe vrasja e mësuesit tonë të nderuar Halit Gecaj nga Llausha, si dhe vrasja barbare e Ismet Gjocajt nga Deçani. Vrasje, dhunë, diskriminime e terror shtriu mbi këtë popull pushtuesi serb. Ai vrau fëmijë, të rinj, mësues nëpër shkolla, bujq nëpër ara. Vrau ç’nuk vrau.

Po një ditë nga gjiri i këtij populli lindi Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si e vetmja forcë serioze për realizimin e idealeve dhe aspiratave të popullit tonë për bashkimin tonë kombëtar. Në radhët e kësaj ushtrie radhiten bijtë dhe bijat më të mirë të popullit, ata që jetën ia kushtuan lirisë.

UÇK-ja ka katër vite që u vu në ballë të luftës për çlirimin e Kosovës. Ka ndërmarrë disa aksione çlirimtare kundër pushtuesve nëpër pikat më të ndjeshme të tij si dhe kundër bashkëpunëtorëve të tij shqipfolëse, kolaboracionistëve. Grushti i drejtësisë, grushti i forcës, grushti i popullit do të bjerë mbi ta. Mbi cilindo që merr guximin të shkelë idealet e shenja të popullit tonë.

Lufta jonë e shenjtë do të zhvillohet deri në çlirim, deri në bashkimin tonë kombëtar. Një nga përpjekjet tona kundër armikut ishte edhe beteja e para do ditshme në fshatrat e Drenicës. Aty armiku pati dëme të mëdha materiale dhe në njerëz, prandaj u detyrua të tërhiqej kokulur. Në pamundësi t’ju vihet përballë forcave tona, vrau njerëz të pafajshëm, shtiu mbi shtëpi e shkolla.

Vëllezër, në skenën tonë politike kanë dalë mjaft parti politike e shoqata të cilat flasin gjoja në emër të mbrojtjes së interesave të popullit. Disa prej tyre mundohen ta degradojnë luftën tonë të shenjtë me qëndrimin e tyre pacifistë. Atyre u themi mjaft! Mjaft se një ditë do t’ju mallkojë historia!

Gjaku i të rënëve le të na bëhet urë që do të na bashkojë të gjithëve rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të na bashkojë të gjithëve në luftën për çlirimin e Kosovës se vetëm kështu trojet tona do ta shohin dritën e lirisë.

Lavdi të rënëve për liri!

YouTube player

Rruga Press

Lexo më shumë  Aksion i madh i policisë: Arrestohen 20 persona, sekuestrohen 120 mijë euro
YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *