Lajme

Qemal Karaosmani, historia e këshilltarit më besnik të Ismail Qemalit, si u injorua nga komunistët

Qemali u lind në vitin 1875, në qytetin e Elbasanit, prej nga është dhe origjina e hershme e familjes Karaosmani, një prej shtëpive më të njohura të atij qyteti.
I ati, Shazivar Karaosmani, i krijoi mundësinë djalit të tij, Qemalit që të shkonte dhe të shkollohej në Turqi. Qemal Karaosmani, studimet e shkollës së mesme dhe ato universitare i ndoqi në Turqi dhe i përfundoi në vitet e fundit të shekullit të XVIII, duke u diplomuar në Stamboll për Administratë Civile dhe Ekonomi.
Gjatë periudhës që studioi në Turqi, ai ra në kontakt dhe u njoh me disa nga patriotët shqiptarë dhe figurat më të shquara të Rilindjes Kombëtare, siç ishte Murat Toptani, me të cilin ai lidhi një miqësi të ngushtë. Së bashku me Muratin, Qemali shkoi dhe vizitoi shtëpinë ku banonte familja e vëllezërve Frashëri, në Kara Toporak, pasi më parë ishin njohur edhe me vajzën e Naimit, Asijen, e cila u martua me Murat Toptanin.
Pas diplomimit në Stamboll, ai u emërua në Prefekturën e Janinës, por nuk qëndroi shumë gjatë aty, pasi u transferua për në qytetin e Beratit, ku u emërua drejtor i Kadastrës. Në Berati, Qemali bashkëpunoi ngushtë me Aziz Pashë Vrionin dhe Iljaz Vrionin, me të cilët u përpoq dhe luftoi mjaft për përhapjen e ndjenjave kombëtare dhe gjuhës shqipe. Nisur nga ai kontribut që dha për përhapjen e arsimit shqip, në vitin 1908, Qemali u ftua si delegat në Kongresin e Manastirit, ku mbështeti korifejt e shkrimit shqip me alfabetin latin, Gjergj Fishtën e Mit’hat Frashërin, dhe mbrojti alfabetin latin që u miratua nga ai kongres. Gjatë asaj kohe ai shkoi edhe në qytetin e Shkupit, ku u takua dhe bashkëpunoi edhe me patriotët e tjerë të shkrimit shqip, Fehim Zavalanin, Gjergj Qirjazin e Bedri Pejanin. Një ndikim të madh tek Qemali, pati atë kohë edhe kushëriri i tij, atdhetari i shquar e luftëtari i paepur i çështjes kombëtare, Aqif Pashë Elbasani, me të cilin ai bashkëpunoi në organizimin e kongresit të Elbasanit dhe për çeljen e shkollës Normale të atij qyteti.
Po kështu në vitet 1909-1910, kur ishte në Berat, ai e zgjeroi shumë veprimtarinë e tij në dobi të çështjes shqiptare, duke u lidhur ngushtë dhe me patriotët e tjerë si Babë Dudë Karabunarën, Sulo Resulin e Aleksandër Xhuvanin, me të cilët bëri përpjekje të mëdha për përhapjen e gjuhës shqipe. Në atë periudhë, me anë të Kristo Karbunarës, Qemali u lidh ngushtë me shoqëritë shqiptare të Bukureshtit dhe të Egjiptit, prej të cilave merrte libra e gazeta në gjuhën shqipe dhe i shpërndante ato falas në rrethet e Beratit, Skraparit e Lushnjës.
Qemal Karaosmani ka shkruar kujtime. Aty është shprehur: “Sado që botimi i kësaj historie të vogël desha të mbetet për një kohë mbas vdekjes sime, por prej insistimit të përhershëm të z. Reuf Fico, kolegut të dashun të Vlonës, u detyrova me dhanë në botim që sivjet me rastin e njëzet e katërtit vjet t’Indipendencës Shqiptare”.
Sipas kujtimeve të tij, evidentohet se: “Më 20 të vjeshtës së tretë 1912, Bektash Cakrani i ka telegrafuar z. Aziz pashë Vrionit, për të dërguar kual në Durrës e njerëz për të marrë Ismail Qemal benë. Prej parisë së Beratit u bisedua e u vendos që këtë detyrë të shenjtë ta marri përsipër z. Qemal Karaosmani…”.
Udhëtoi së bashku me katër miq të tij dhe me tre kuaj rezervë, të enjten, më 21 nëntor 1912, duke fjetur një natë në Lushnjë e prej andej në Durrës, ku u takua me Ismail beun, në hotelin e Aziz pashë Vrionit. Ka shoqëruar grupin e Ismail Qemalit (14 vetë që ishin në nisje nga Bukureshti, bashkë me ata edhe delegatët e Durrësit e të Tiranës ), nga Durrësi; në takimin me Mytesim efendi Këlliçin (zëvendëprefekt i Kavajës); në takimin me Nebi Sefën e Lushnjës në urën e Darçit; në Çermë (te Dervish bej Biçaku e Behxhet bej Hydi); në rrugën e Karapatokut; në Sulzotaj; në Libofshë te konaku i Nedim bej Leskovikut; në Petovë (ku u bashkuan me Lef Nosin, Shefqet Daiun, Mit’hat Frashërin, Sali Gjukë Dukagjinin, Bedri Pejanin e Rexhep Mitrovicën); në Fier (në konakun e Ymer pashë Vrionit ku u drekosën); në kalimin në Vjosë (ku i prisnin Arshi Halili, major Bilal Nivica dhe Hamza Isai e shumë të tjerë), ku mbërritën më pas në Vlorë, në orën nëntë të natës allafrënga.
Qemal Karaosmani, ndonëse u dërgua nga Berati për të shoqëruar Ismail Qemalin nga Durrësi deri në Vlorë, ka qenë caktuar delegat i Kuvendit Kombëtar nga paria e Elbasanit.
Ismail Qemali e zgjodhi si njeri besnik dhe e emëroi në postin e kryesekretarit e më vonë edhe këshilltar të tij. Karaosmani ka pohuar me sinqeritet: “Mbas dy a tri ditësh, si u rregulluan punët, i kërkova leje Ismail beut, duke i thënë: – Tashti dëshira jonë u plotësua për detyrën që më ke kërkuar, nuk kam cilësitë e duhura që të kryej si duhet; pra këtu meqë ka shumë persona me kulturë, të cilët meritojnë për kësi detyre, ju lutemi më epni leje të shkoj. Plaku më përgjigjet kështu: Detyra që të kam ngarkue ty nuk kërkon dijetarë e intelektualë, por ka nevojë për besnikë me karakter, prandaj ti do të mbetesh me mue. Në qoftë se do të insistosh, do më mbetet hatri. Desha s’desha, Ju binda urdhrit Tij dhe mbeta me titullin këshilltar dhe kryesekretar i Kryesisë së Shtetit”.
Karaosmani në shkrimin “Në qeverinë e Vlorës” sjell një bisede të tij me Ismail Qemalin, duke guxuar t’i thotë se po emëronte në detyra të larta njerëz pa diplomë universitare, “si Hysni Toska që ka qenë një ushtar ose rreshter në ushtrinë turke; si edhe Alem Tragjasit, pa pasë një karrierë, i ngjite aq shirita sa e bane major dhe ma naltë”.
Largimi nga kabineti qeveritar, i Hasan Prishtinës dhe më parë i Esad Toptanit, krijuan vende bosh në kabinetin qeveritar. Shpallja e kabinetit qeveritar nga Esad Toptanit, ndërkohë, e bindi Ismail begun se i duheshin njerëz besnikë rreth tij, ndaj ideoi Aqif pashën për ministër të Brendshëm, nëse ai refuzon Shefqet Vërlacin, por asnjëri nuk e pranoi postin në atë moment të lik për Ismail Qemalin dhe qeverinë e Vlorës. Saktësoj se, sipas shkrimeve të vetë Qemalit, në kujtimet e tij, plaku i urtë, Ismail Qemali, i komunikoi Qemal Karaosmanit: “Meqenëse Aqif pasha dhe Shefqet beu nuk i pranuan vendet vakant të ministrive unë vendosa ta jap ty vendin e Ministrisë së Bujqësisë. Unë si e falënderova për simpatinë që ushqente kundrejt meje, ju luta që të më fali nga kjo detyrë, duke i thanë se nuk jam i zoti dhe nuk i kam ato cilësi që mund të rregullojë një ministri. Ai insistoi duke thanë se: “idhnohem, në qoftë se do të më refuzosh propozimin”. Unë kundrejt atij kisha një respekt të veçantë dhe e shikoja me një sy si atin t’em prandaj ula sytë e heshta”.
Shtypi pro Esad Toptanit ka synuar ta baltosë patriotin elbasanas, nënshkrues të aktit madhor të shpalljes së mëvetësisë kombëtare. “Ushtimi i Krujës” shkroi se: “Pandeli Cale e Qemal beu i Elbasanit (Karaosmani-H.L.) dualën më parë se Ismail Qemali në Evropë, për shkaqe vetjake . Ky njoftim shtrembëron të vërtetën, mbasi ata shkuan në Itali, me miratim të Qeverisë së Përtashme të Vlorës, Cale për arsye shëndetësore, kurse Karaosmani për arsye pune, njoftim që e ka dhënë edhe “Shqypnia e Re”, duke shkruar se Pandeli Cale, ministër i Punëve Botore dhe z. Qemal bej Elbasani (Karaosmani-H.L.) ministër i Bujqësisë, u nisën nga Vlora drejt Italisë. Qëllimi i udhëtimit të zotit Pandeli Cale asht shëndeti.
Qemal Elbasani (Karaosmani) i ka shkruar një letër drejtorit të gazetës “Shqypnia e re” (Hilë Mosit-H.L.) ku i kërkon që të botojë një replikë të tij për artikullin “Rrotull kompllotit”, botuar nga kjo gazetë në numrin 59 të saj, e cila e ka akuzuar patriotin e ndershëm sikur Beqir Grebeneja i ka dhënë 5000 lira turke, për ta përkrahur në zbatimin e planit të tij. Qemali deklaronte në letrën që i çoi drejtorit Hilë Mosi, se nuk ka qenë kurrë në Shkodër, shprehet se autori mund të ketë gabuar duke e ngatërruar këtë me Qamil efendi Fejzon nga Elbasani, ndaj ai kërkon me këmbëngulje ndreqjen e gabimit të botuar. Letra është dërguar nga Berati më 23 shkurt 1914, nënshkruar prej vetë Qemal Elbasanit, me sqarimin “ex-ministër i Bujqësisë i Qeverisë s’Përtashme të Shqypnisë”.
Pas largimit të princit austriak, Qemali mbajti lidhje të ngushta me kushëririn e tij Aqif pashën e Elbasanit, i cili vazhdoi të mbajë postin e ministrit të Brendshëm edhe pse u larguan të gjithë qeveritarët e kabinetit të Turhan pashë Përmetit.
Kur austriakët dëbuan serbët nga territoret shqiptare, Qemal Karaosmani, si shumë të tjerë gjykoi se kishte ardhur momenti të riorganizohej administrata shqiptare dhe fatet e Shqipërisë t’i merrnin në duar vetë shqiptarët, ndaj mbështeti nismën e Aqif pashës dhe grupit pas tij, të kryesuar nga i riu matjan Ahmet Matja, për mbledhjen e një kongresi në Elbasan, në vitin 1916, gjë e cila nuk u miratua nga austriakët. Në prag të mbledhjes së kongresit, Czapek Mjn, komandant austriak i Elbasanit, i telegrafoi bashkisë së Elbasanit duke i bërë të ditur se: “…asambletë qi kanë nji qëllim politik, janë të ndalueme në viset e shkeluna prej ushtërivet perandore e mbretnore, kurse ato në kohë lufte edhe n’Austro-Ungarie janë të ndalueme”.
Në vitin 1920, përsëri në lidhje dhe mbështetje të Aqif pashë Elbasanit e të Komitetit Kombëtar të Mbrojtjes së Kosovës, ai u bë një nga organizatorët e Kongresit të Lushnjës, që hodhi përfundimisht themelet e shtetit shqiptar.
Referuar komenteve të shtypit të kohës bëhet e ditur se ka pëlqyer protektoratin italian ndaj Shqipërisë.
Qemal Karaosmani është zgjedhur dy herë deputet në Këshillin Kombëtar. Fillimisht ai u zgjodh deputet i Beratit, në zgjedhjet e 27 dhjetorit të vitit 1923, duke u shënuar deputet i Beratit në listën me 102 deputetë, regjistruar më 21 janar 1924. Kur konkuroi në zgjedhjet parlamentare të vitit 1923, Qemal Elbasani, u përfshi në grupin ku bënin pjesë edhe Vrionët (Sami, Qemal, Iljaz e Seid) si dhe Milto Tutulani, Vangjel Goxhomani, etj.
Edhe në kuvendin kushtetues 1924-1925 ish-ministri i qeverisë së përkohshëm të Vlorës, Qemal Karaosmani, përfaqësues i Beratit, u zgjodh deputet, më 7 dhjetor 1925. Këtu duhet shënuar se, pas ardhjes në fuqi të Legalitetit për legjislaturën e viteve 1925-1928, ndonëse ai konkurroi në zgjedhje nuk arriti të fitojë që në fillim, në maj 1925, por më pas zëvendësoi deputetin e dorëhequr, Qemal Vrioni, dhe u betua deputet si përfaqësues i prefekturës së Beratit. Në këtë periudhë ai ka pasur mbështetjen e fuqishme të kunatit të tij, zogistit besnik Ahmet bej Resuli.
Në 27 prill të vitit 1938, Qemal Karaosmani-Elbasani, ishte në grupin e përfaqësuesve të Elbasanit, në dasmën e Mbretit Zog me Mbretëreshën Geraldinë.
Pas pushtimit fashist të Shqipërisë dhe me largimin nga Shqipëria të mbretit Zog, Qemal Karaosmani nuk emigroi, si shumë të tjerë, por u zhvendos bashkë me bashkëshorten dhe gjashtë fëmijët në Kavajë, ku edhe jetoi deri në fund të jetës së tij.
Ardhja në pushtet e regjimi komunist e gjeti Qemalin në Elbasan, në pronat e tij, por e cilësoi atë familje e pasur, bejlerësh reaksionarë dhe ia konfiskoi e shtetëzoi të gjitha pasuritë që kishte, përfshirë edhe shtëpinë e madhe në lagjen “Spalikore”, të qytetit të Elbasanit, ku banonte. Kjo sjellje shpërfillëse ndaj këtij atdhetari i solli Qemalit një zhgënjim, që e tronditi thellë në shpirt, aq sa ka tentuar dy herë vetëvrasjen. Pas sekuestrimit të pasurisë u detyrua të shkojë në Kavajë, ku jetoi “i ngujuar” në shtëpinë e djalit të tij të madh, Masarit.
Vitet e fundit të jetës u angazhua me studime, pasi dispononte një bibliotekë shumë të pasur dhe kishte një arshivë mjaft të madhe me dokumente zyrtare.
Me rastin e 50-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, sipas rrëfimeve të fëmijëve dhe nipave të Qemalit, në shtëpinë e Masarit, në Kavajë, janë marrë nga Ferit Vokopola arshiva e familjes, së bashku me penën që ishte nënshkruar akti i Shpalljes së Pavarësisë, në 28 nëntorin e vitit 1912, e cila edhe sot gjendet në Muzeun Historik Kombëtar të Shqipërisë.
Sa ishte gjallë, Qemali, ndonëse ka qenë shtetar e deputet, emri i tij ishte i harruar në historinë e shtetit shqiptar dhe nuk u përmend asnjëherë në librat e historisë së Shqipërisë, madje kurrë nuk u përkujtua asnjëherë në përvjetorët e Ditës së Flamurit.
U shua në qytetin e Kavajës, më 1948, ku edhe u preh në varrezat e vjetra të Kavajës, të cilat u sheshuan kur u ndërtua hekurudha dhe zyrat e fidanishtes së qytetit, duke zhdukur eshtrat e të ndjerit, si të gjithë të tjerëve të varrosur aty. Sot këtij atdhetari i mungon një varr për përkujtim të merituar në histori dhe përshpirtje njerëzore.
Pas rrëzimit të regjimit komunist, Qemal Karaosmanit iu njohën meritat, vlerat dhe kontributi si një ndër patriotët, firmëtarët dhe kontribuesit në shtetin e parë shqiptar. Ai është shpallur qytetar nderi i Elbasanit dhe ka marrë dekoratë nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi
Në vitin 1900, Qemal Karaosmani u martua me Aishe Resulin nga familja e njohur e bejlerëve të Beratit. Vëllai i saj, Ahmet bej Resuli, ka qenë nga më të dëgjuarit e asaj shtëpie. Nga ajo martesë ata patën gjashtë fëmijë: Masari, Hadija, Qamurani, Shehriaja, Behija dhe Aliu. Djali i madh, Masari, u shkollua në Paris për “agronomi” dhe pas çlirimit nga okupatori nazi-fashist ka punuar agronom në Kavajë.

Lexo më shumë  Konjufca pret në takim homologun e tij nga Maqedonia e Veriut

*Pjesë nga libri ne botim: “Qeveria e Përkohshme e Vlorës 4 dhjetor 1912-22 janar 1914″, jetëshkrimet e ministrave.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *