Lajme

Dita e fundit për marrëveshje për targat, kryenegociatorët takohen në Bruksel

Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë pritet të takohen të mërkurën në Bruksel në ditën e fundit të afatit shtesë për marrëveshje mbi targat, para se Kosova të nisë të dënojë pronarët e veturave me targa ilegale.

Siç ka shkruar të martën Radio Evropa e Lirë, krynegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq pritet të takohen në Bruksel nën ndërmjetësim të të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Takimi do të zhvillohet dy ditë pas një takimi që ka rezultuar pa marrëveshje mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me çështjen e targave. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, e ka fajësuar sidomos Kosovën për mosarritje të marrëveshjes.

Me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, Kosova e ka shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës. Kryeministri Kurti ka thënë të martën se ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, është shumë i përkushtuar për gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e targave ilegale serbe.

Lexo më shumë  Konjufca priti në takim Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi

“Shtetet e Bashkuara i duan edhe 48 orë që përafrimi i djeshëm të mund të shndërrohet në dakordim sot ose nesër. Po i bëjmë përpjekjet maksimale. Unë nuk mendoj që jemi në orët kur duhet të flasim për shtyrje të reja, duhet të flasim për intensitet maksimal, në mënyrë që brenda 48 orëve ta kemi marrëveshjen siç e synuam në Bruksel, duke mos u kufizuar në çështjet siç është puna e targave”, ka thënë Kurti, raporton KP.

Faza e dytë parasheh shqiptimin e gjobave prej 150 eurosh për qytetarët që qarkullojnë me automjete me targa të tilla.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se e ka kërkuar këtë shtyrje për t’i lejuar zyrtarët evropianë dhe ata amerikanë që të angazhohen me Kosovën dhe Serbinë për të gjetur zgjidhje për këtë çështje.

Lexo më shumë  DOSJA/ Gjyqtarja Pajtime Fetahu kërkoi nga bandat të goditej gazetari Saimir Kodra pasi ai ka denoncuar lidhjet e gjyqtares me krimin

Kurti ka thënë se prej takimit 8-orësh të 21 nëntorit, ai nuk ka qenë në kontakt me zyrtarët evropianë lidhur me çështjen e targave.

Faza e parë parashihte qortimin, e dyta parasheh shqiptimin e gjobës dhe më vonë parashihet të vendosen disa targa provuese. Sipas vendimit të Qeverisë, pas 21 prillit, në Kosovë nuk duhet të ketë më makina me targa të tilla që lëshojnë autoritetet serbe.

Serbia – e cila lëshon targa të paligjshme për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999, e kundërshton këtë plan – duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës. Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut të Kosovës – ku qarkullojnë kryesisht makinat me targa të paligjshme – kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës./KP

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *