LAJČÁKU – ISH-KOMUNISTI I ZELLSHËM ‘ME TETËVJEÇARE’
Shkruan Agim Morina
‘NJERIU YNË NË MOSKË’
Miroslav Lajčáku mun me qenë shembulli më i mirë i asaj thënieje qengji i mirë – dhe kalkulant – thith dy nëna. Një karrierist nuk ka shenjë ma të dallueshme sesa kur e sheh se si i ndërron bindjet brenda nate, për me mujtë me thithë edhe ma shum se dy nëna, nëse i shfaqet një shans i tillë.
I lindur e i rritur në një qytezë të largët nga kryeqyteti i vendit të vet, Lajčáku, si 15 vjeç u shpërngul me familje në Bratisllavë. Si djalosh ambicioz, megjithëse në horizont kishte nisë me u nëpërdukë lëkundja e regjimit komunist, me 1982, djalë 19-vjeçar, bëhet anëtar i Partisë Komuniste të Çekosllovakisë, i asaj partie kukull sovjetike që ia shkeli atdheun me tanke, kur aj ishte 5 vjeç. Natyrisht, e bëri këtë jo për shkak se kishte bindje të thella politike, por për shkak se e dinte se kështu do të mund të ngjitej shkallëve të karrierës politike. Kjo nuhatje prej langoi ka me i shërby mirë edhe në të ardhmen, sepse pikërisht nëpërmjet këtyre shkallëve, mbas gjashtë vjetësh, me 1988, u ngjit në zyrat e Ministrisë së Jashtme të Çekosllovakisë komuniste.
Me 1991, e gjejmë në ambasadën e Çekosllovakisë në Moskë, ku kreu edhe studimet në Institutin për Marëdhënie Ndërkombëtare, ndërsa me 1993, kur u nda Çekia nga Sllovakia u kthy për me nisë punën në Ministrinë e Jashtme të sapothemeluar të Sllovakisë. Shumë shpejt u bë drejtor i kabinetit të ministrit të Jashtëm e më vonë i kabinetit të kryeministrit të Sllovakisë.
Pas një kohe si ambasador i Sllovakisë në Japoni, me 1999, nis periudha e tij e shërbimit në ndërmarrje ndërkombëtare. Me 1999 u emëru si ndihmës egzekutiv i të Dërguarit të Veçantë të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Ballkan, Eduard Kukanit.
‘NJERIU YNË NË BEOGRAD’
Mes viteve 2001 e 2005 Lajčáku shfaqet si ambasador i Sllovakisë në Beograd. Dhe në vitin 2005 Javier Solana, shefi i diplomacisë europiane, e ftoi me mbikëqyrë referendumin e pavarësisë së Malit të Zi. Gjatë kësaj kohe e kishte mësu tashma edhe gjuhën serbe, të cilën e flet shumë mirë dhe në biseda me serbët nuk ka nevojë për përkthyes.
Kjo ësht koha kur Sllovakia u pranu në Bashkimin Europian (2004) dhe doli në shesh fytyra e vërtetë e qeverive të cilave u shërbente Lajčáku. Me mija romë vërshuan shtetet evropiane duke ikë nga racizmi i shtetit sllovak. Disa mijë prej tyre kërkuan strehim në Britani. Prandaj, kur e dëgjoni Lajčákun duke folë për të drejtat e njeriut, kini parasysh këtë trajtim të romëve, për me kuptu çka fshihet mbrapa buzëqeshjes së tij engjëllore, prapa paraqitjes prej nëpunësi të zellshëm e të butë me kravatë, sepse po të kishte pasë një dinjiteti prej politikani të ndershëm e të guximshëm, ky ose do të kishte protestu ashpër kundër trajtimit jonjerëzor që u ësht bë romëve nga qeveritë që u ka shërby, ose do të kishte dhanë dorëheqje nga qeveritë e tilla. Por, Lajčáku nuk asht person që bën gabime të tilla: me dhanë dorëheqje apo me kritiku dorën që e ushqen. Këtë ka me bë ma vonë, mbas disa vitesh, por prap tue kalkulu një dobi të re karrieriste për këtë veprim.
Ja një nga përgjegjet e Lajčákut në Bruksel, si ministër i Jashtëm me 2015, kur gazetarët e pyetën për romët e Sllovakisë që kishin ikë në Blegjikë, për shkak të racizmit në Sllovaki:
“Ata munden me u kthy në shtëpi në çdo kohë,” tha Lajčáku, i cituar nga TASR. “Unë nuk shoh hapësirë që qeveria sllovake dhe institucionet sllovake të angazhohen në këtë, përveç nëse ata [romët] shprehin interesin e tyre për këtë punë.”
Kaq, nga një politikan “europian”, kur ka të bëjë me problemet në shtëpinë e vet.
Pos Japonisë, qysh shihet, ku i kaloi disa vjet, shumicën e viteve të karrierës së tij diplomatike Lajčáku i kaloi nëpër shtete të vëllazërisë sllave. Kjo edhe ësht arsyeja që shumica e dekoratave të tij për punën e zellshme vijnë nga këto shtete. Por, vërjani mendjen, aj ka një lidhje interesante edhe me Spanjën. Nis me shefin e tij të dikurshëm, Javier Solanan dhe vazhdon edhe sot me Joseph Borrelin. Rastësi? Mirë, dy rastësi e më shum nisin e bëhen rregull apo jo? Dhe jorastësisht këto dy shtete nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. A bën vaki që na jemi të panafakë dhe kundërshtarët tanë gjithmonë bahen bashkë?
Periudha interesante e karrierës së Lajčákut, që ësht mirë të rikujtohet për ne, për shkak të lidhjeve me zhvillimet në Kosovë, ësht koha e shërbimit në Bosnjë dhe Hercegovinë në vitet 2007-2009. Solana prap zgjodhi Lajčákun për me zëvendësu Christian Schwartz-Schillingun edhe si Përfaqësues i Naltë për Bosnjë dhe Hercegovinë, edhe si Përfaqësues Special i BE-së për Bosnjë dhe Hercegovinë. Gjatë mandatit të tij BeH nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në. Kjo duket si me qenë njëfarë suksesi, por as kjo nuk kaloi pa një çmim të hidhur për BE-në.
Gjatë kësaj kohe, në BeH u shfaq një krizë e shkaktuar nga serbët e Bosnjës, rreth një Ligji mbi Këshillin e Ministrave. Ligji synonte korrektimin e procedurave vendimmarrëse për me mujtë me bë qeverinë e BH-së më pak të prirë m’iu nënshtru bllokadave. Dukej sikur ishte një test përfundimtar për partinë serbe të Milorad Dodikut, Lidhjen e Socialdemokratëve të Pavarur, për me i mbështetë këta për mur. Në të vërtetë, rezultatet dolën të kundërta. Lajčáku sa për sy e faqe bëri sikur po tregohet i ashpër, mirëpo kjo shkaktoi dorëheqjen e kryeministrit të BH-së Nikola Spiricit (serb i partisë së Dodikut), dhe tërheqjen e serbëve nga të gjitha institucionet shtetërore të Bosnjë e Hercegovinës. Krejt çka arrijti Lajčáku ësht se shkaktoi një krizë duke u përpjekë me imponu ndryshim institucional pa legjitimim vendor. Në dukje, pati sukses në terren, por duke rreziku besueshmërinë e rezultateve tashmë të arrijtura të BE-së, mbasi serbët e Bosnjës jo vetëm që nuk u ndëshkuan për sjelljet e tyre që çonin drejt ndarjeve më të thella etnike, por ata edhe u shpërblyen me fondet e BE-së.
Për raportin e tij me serbët dhe Republikën serbe kallëzon më së miri aj vetë, kur i përgjigjet pyetjes se a i urrente serbët:
“E paskan zgjedhë temën e gabuar dhe njeriun e gabuar. Në asnjë mënyrë nuk jam armik i serbëve. Ata që më akuzojnë se jam – gënjejnë! Asnjë nga masat që kam marrë nuk kanë qenë të drejtuara kundër Republikës Serbe apo serbëve, dhe nuk kam ndëgju asnjë argument që kish me tregu të kundërtën. Ndërsa në vetë Serbinë ka me qindra njerëz të cilët më njohin mirë dhe të cilët askush nuk mundet me i bindë që jam armik i serbëve.”
Duhet me thënë se Lajčáku në nëntor 2018 dha dorëheqje si ministër i Jashtëm i Sllovakisë për shkak se kuvendi sllovak nuk miratoi Paktin Global të OKB-së për Migracionin. Kjo ësht ndoshta një refeksion pozitiv i komunistit të dikurshëm, apo më shumë – qysh treguen ngjarjet – një kalkulim i radhës i një karrieristi që po priste tani një post nga jashtë, sepse kjo vërtet erdhi me 2019, postin e kryesuesit të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim Europian. Dhe me 2020 u emëru si Përfaqësues i Veçantë i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi dhe çështjet regjionale të Ballkanit.
“NJERIU YNË NË KOSOVË”
Kur u zgjodh si Përfaqësues i Veçantë i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, edhe disa gazetarë të kujdesshëm europianë shkruan se Lajčáku ishte “zgjedhje e tmerrshme”. Pas Borrelit, nga një shtet si Spanja që s’e njihte pavarësinë e Kosovës, me zgjedhë Lajčákun, nga shteti dytë që s’e njihte pavarësinë e Kosovës, ishte vërtet e tmerrshme. Ishte fakt që Lajčáku kishte përvojë politike në Ballkan, por përvoja e tij ishte dështim. Suksesi i tij për me kapë poste në fluturim e sipër lidhej me aftësinë e tij që dinte qysh me u sjellë në korridoret e burokracisë së BE-së. Mirëpo zgjedhja e përfaqësuesve të dy shteteve mosnjohëse tregonte qartë se BE-ja haptas kishte marrë anën e Serbisë, atë të kryetarit autoritar Vučići. Dhe në fund, Lajčáku ishte dëshmu që vendoste ambiciet e tij personale dhe profesionale para detyrave që kishte marrë përsipër, ngaqë ai befas e kishte lënë punën e tij në Sarajevë, mbas një viti e gjysë, sepse kishte marrë një ofertë më të mirë për me u bë shef i diplomacisë sllovake.
Tashti, kur shohim zhvillimin e karrierës së Lajčákut nga Moska në Beograd, kur shohim dekoratat që ka marrë nga Serbia e Mali i Zi, kur shohim faktet e racizmit të shprehur haptas nga qeveritë sllovake kundër romëve në Sllovaki, kur shohim menaxhimin e keq me ngjarjet në Bosnjë, ku serbët, duke kërcënu me tërheqje nga institucionet, përfitojnë favore të reja, nuk mund të mos e vërejmë se ky skenar i njëjtë zhvillohet edhe në Kosovë. Se a janë këto veprime të serbëve të bashkërenduara me Lajčákun apo jo këtë nuk mujmë me e dijtë, por e dijmë se aty ku ësht Lajčáku dhe aty ku serbët dojnë me arrijtë qëllimet e tyre shoviniste, këtë e bëjnë lehtë në praninë e Lajčákut. Kjo ndodhi në Bosnjë, kjo po kërkohet me ndodhë edhe në Kosovë, bile edhe skenaret janë të njëjta: bojkot i institucioneve shtetërore nga serbët dhe arritje e synimeve.
Lajčáku me lehtësinë më të madhe kërkon asociacionin për serbët në Kosovë, kërkon ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës me qëllim që t’i përshtatet synimeve shoviniste të Serbisë, por bahet peshk e nuk e hap gojën, kur bahet fjalë për shqiptarët apo boshnjakët në Serbi.
Duke e dijtë që Sllovakia nuk e ka njohë pavarësinë e Kosovës, ka votu kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare, bile me Lajčákun që e ka ngritë dorën kundër, duke pa veprimet dhe skenaret e njëjta të serbëve aty ku Lajčáku hyn në lojë, edhe me ndodhë këto krejt rastësisht, mendja e njeriut nuk mun e mos me hy në gjynah e me mendu se ky njeri mundet mos me qenë krejt antishqiptar, por duket si pansllavist i rryer dhe si proserb goxha i përkushtuar. Kur ia afron pranë edhe një shqiptarofob si Borreli e bëhen çift, atëherë antishqiptarizmi i tyre shfaqet me brirë. Bashkimi Europian edhe me pasë lypë me qiri nuk kish mujtë me gjetë çift më të pafavorshëm e më të mbrapshtë kundër shqiptarëve të Kosovës, sesa këta dy. E kjo mun ilustrohet mirë me thënien e ditëve të fundit të Borrelit, i cili, në formë qortimi dha detyrat që duhej të kryheshin mbas krizës me bojkot të Listës Serbe:
“Qeveria e Kosovës duhet të formojë asociacionin, ndërsa serbët duhet të kthehen në institucione!”
Kjo periudhë prej dy fjalish tingëllon si qortim për dy palë, – ama veç për idiotë – sepse kur analizohet, kuptohet se shkon vetëm në dobi të serbëve. Ngaqë formimi i asociacionit ësht urdhër që u jepet shqiptarëve, ndërsa ajo që duket si “urdhër” ndaj serbëve ësht ndoshta këshillë e Lajčákut se qysh duhen me bë serbët kur dojnë me përfitu pika politike, ashtu si në Bosnjë: bojkotojnë, largohen, dhe kthimi i tyre bëhet me u dukë si një detyrë e që “duhen me përmbushë” edhe serbët.
Këtë Shkollë të Lajčákut mirë ësht me e kuptu, për me mujtë m’ia ndalë turrin. Qysh mun bëhet kjo? Duke e bë me dështu ky mision i duetit proserb Borrel-Lajčák. Ky ësht një mision gati i pamundur, por i domosdoshëm për me mujtë me detyru BE-në me u sjellë ndryshe me Kosovën. Kjo duket si një betejë e Davidit me Goliatin. Megjithatë, dihet se edhe në këtë ballafaqim Davidi, sado në dukje i pafuqishëm, doli fitues. Kështu që nuk ësht gjithçka bash krejt pa shpresa.
© Rruga Press