Si i bëri jehonë shtypi serb deklaratave të Dardan Molliqajt
Krahasimi i paprecedentë i Kurtit me Millosheviqin e ka bërë deklaratën kontraverze të Dardan Molliqajt si kryelajm në tabloidet e Beogradit.
Ja se si citon fjalët e Molliqajt , “Danas”:
“Problemi në veri nuk mund të zgjidhet me përdorimin e forcës dhe pushtetit. Mënyra se si e kemi trajtuar së fundmi problemin e veriut dhe serbëve në veri, mendoj se ka një rrezik dhe se ka disa ngjashmëri me mënyrën se si na ka trajtuar Millosheviqi”, danas.rs përmes burimeve mediatike shqiptare.
Më tej përmes referencës nga Kosova Online, danas shkruan:
“Moliqaj ka theksuar se problemi i veriut nuk është ligjor, por politik”.
Analiza e Danas-it nuk mbaron këtu.
“Më duket se Kurti e ka llogaritur gabim masën e reciprocitetit. Ne ishim kundër sepse problemi në veri nuk është ligjor, por politik. Tashmë po na tregojnë se Serbia në fakt kontrollon veriun” – vazhdon citimin kjo media me konstatimet e Dardan Molliqajt.
“Naslovi.net” është një media tjetër që i ka dhënë zë në serbisht Dardan Molliqajt me qëndrimet e fundit kontraverze duke e cilëzuar qeverisjen si në rrugë drejt “pozitës fashiste”.
“Molliqaj paralajmëroi se Qeveria e Kosovës mund të “rrëshqasë në pozita fashiste: Ne po i trajtojmë serbët ashtu siç na trajtoi neve Millosheviqi” vazhdon citimi.
“Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të ketë kujdes që të mos rrëshqasë në pozicione fashiste kur ka të bëjë me serbët e veriut” ka shkruar naslovi.net duke i’u referuar mediave në Gjuhën Shqipe.
Ai e trajton Kosovën në të njëjtën mënyrë si “Milosheviqi i ka trajtuar shqiptarët”. “Problemi në veri nuk mund të zgjidhet me përdorimin e forcës dhe pushtetit”. Mënyra se si e kemi trajtuar së fundmi problemin e veriut dhe serbëve në veri, mendoj se ka një rrezik dhe se ka disa ngjashmëri me mënyrën se si na ka trajtuar Millosheviqi”, – vazhdon t’i referohet kjo media këtij qëndrimi përmes burimeve mediatike shqiptare.
Tituj dhe analiza të tëra mediatike u morën me këto qëndrime të Dardan Molliqajt dhe u shumëzuan online në opinionin publik serb.
Këto deklarata të Molliqajt i shërbejnë agjendës serbe për minimin e shtetësisë së Kosovës, duke qenë të pasakta në disa drejtime.
Molliqaj barazon Kurtin me Millosheviqin, kur Kurti lufton për sovranitetin e Kosovës në territorin e saj, kundër grupeve kriminale të dirigjuara nga Beogradi. Millosheviqi donte të ushtrojë sovranitet të Serbisë në Kosovë, me metoda represioni e më tej përmes gjenocidit, me metoda të shtypjes shtetëror, ushtarake dhe paramilitare. Molliqaj ngatërron kryeministrin e një vendi, me udhëheqësin pushtues të një vendi.
Pse Dardan Molliqajt i duket vendimi për targat i barazvlefshëm, ose të paktën që çon në atë drejtim, me fashizmin e Millosheviqit, me Reçakun, me dëbimin masiv, me spastrimin etnik dhe makabritetet e këtij lloji?
Molliqaj nuk do të marrë parasysh as dallimet, jo vetëm mes Kurtit si kryeministër dhe Millosheviqit si udhëheqës gjenocidesh në Ballkan, por ai nuk bën dallimin as mes qytetarëve shqiptarë nën pushtimin serb dhe strukturave paralele serbe në Kosovë. Sa i paskrupullt duhet të jesh të mos bësh dallimin mes qytetarit shqiptar të Kosovës në vitet ’90 dhe një grusht njerëzish kontrabandistë që aktualisht veprojnë në veri të Kosovës dhe që drejtohen nga kriminelë që gjenden në listat e sanksioneve amerikane, si Veselinoviqi dhe Radojçiqi.
Dhe më tej, si mund të arsyetosh në atë mënyrë që sjell rrjedhimet logjike që barazojnë rezistencën e UÇK-së me veprimet e Listës Serbe dhe strukturës paralele të Radojçiqit.
Vetëm pak ditë më parë, Ivica Daçiq u shpreh se tani ka ndryshuar koha, metodat që dikur përdorën shqiptarët, tani do i përdorin serbët. E kishte fjalën pikërisht për barazimin e “represionit të Kurtit”, me represionin e Millosheviqit, e kishte fjalën pikërisht për barazimin e rezistencës së UÇK-së me kontrabandistët e strukturave paralele të Radojçiqit.
Pse Dardan Molliqaj ka kaq shumë nevojë për vëmendje, edhe kur kjo nuk i kapitalizon asnjë dobi, as atij dhe as Kosovës, sa të flasë një gjuhë që priret të shkojë për te gjuha e Ivica Daçiqit?
Rruga Press