Ish-krerët policorë në veri/ Të uniformuar me rroba të Kosovës, në shërbim të Serbisë dhe krimit të organizuar
Nenad Gjuriq dhe Aleksandar Filipoviq tashmë nuk janë pjesë e Policisë së Kosovës.
Megjithatë të dy edhe për sa kohë ishin pjesë e saj nuk kanë kryer shërbime, ashtu siç u kërkohet me të veshur uniformën, në luftën kundër krimit.
Ish-dyshja policore drejtuese në veri ishin të lidhur ngushtë dhe bashkëpunonin me kokat e krimit në këtë zonë.
Merret vesh nga burime brenda institucioneve të sigurisë se jo rrallë herë, ata kanë shfrytëzuar autoritetin e tyre për të ushtruar presion e kërcënim mbi zyrtarët policorë, duke mos ndaluar cisterna që po bartnin naftë të kontrabanduar.
“Kjo mundësi “e shpëtimit nga ligji” i është dhënë kompanisë së personit të sanksionuar nga ShBA-të dhe pjesëtarit aktiv të grupeve ekstremiste në veri, Zvonko Veselinoviç”.
Gjuriq e Filipoviq e ndihmuan edhe një bos tjetër të kontrabandës në atë pjesë.
“Ata i kishin mundësuar edhe personit tjetër të sanksionuar nga ShBA-të dhe kryesuesit aktiv të grupeve ekstremiste Milan Radojçiq. Nga ky i fundit, mësohet se Gjuriq ka fituar dhuratë një vilë si shenjë mirënjohje për mundësimin e kontrabandës”, thekson ky burim brenda institucioneve të sigurisë.
Urdhërat ish-dyshja policore serbe në Kosovë i merrnin nga presidenti serb, Aleksander Vuçiq.
Ky i fundit i nderoi të dy këta me medaljen e artë për trimëri “Millosh Obiliq”.
Inspektorati Policor i Kosovës rekomandoi javën e kaluar pezullimin nga puna të ish-drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, ngase ai dyshohej se kishte bërë thirrje për rezistencë, kur kishte thënë se policët në veri të Kosovës nuk do të zbatojnë vendimin e Qeverisë lidhur me targat.
Se ekziston një ndërlidhje mes ish-krerëve policorë serbë në Kosovë me grupet kriminale e thotë edhe njohësi i sigurisë, Avni Islami.
“Nuk ka dilemë, jo të gjithë policët serbë, por krerë të caktuar të Policisë nga radhët e komunitetit serb po del të jenë të imkriminuar në krim të organizuar siç është rasti i Gjuriqit dhe shumë të tjerëve që janë bashkëpuntorë të strukturave paralele dhe krimit të organizuar në veriun në Kosovë”.
Drejtuesi i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli thotë se krerët dhe policët e dorëhequr kanë qenë struktura serbe, të veshur në uniformën e Republikës së Kosovës.
“Shumica e atyre policëve që kanë dhënë dorëhqje kanë qenë në mbikqyrje totale të Vuçiqit. Të gjitha këta policë kanë qenë në dijeni për kontrabandën tash e disa vjet. Ato kanë qenë struktura serbe në uniformën e Republikës së Kosovës”.
Ky thotë se pjesëtarët policorë serbë i kanë dhënë informacione Serbisë për çdo çështje.
Kështu thonë edhe burimet brenda organeve të rendit.
“Nuk është e pazakontë, por Gjuriq e Filipoviç kanë qenë pjesë aktive e MUP-it serb dhe kanë furnizuar ata me informacione rreth zhvillimeve të ndryshme por për më keq, mendohet se Gjuriq bashkëpunon në vazhdimësi me Inteligjencën Serbe BIA”.
Kokat e krimit në veri
Milan Radojiçiq dhe Zvonko Veselinoviqin janë në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Emrat e tyre bëjnë pjesë në një listë të gjatë biznesesh e individësh, e hartuar nga Departamenti amerikan i thesarit.
“Zvonko Veselinoviq (Veselinoviq), udhëheqësi i Grupit të Krimit të Organizuar Zvonko Veselinoviq (OCG), është një nga figurat më famëkeqe të korruptuara të Kosovës. OCG e Veselinoviq është e angazhuar në një skemë ryshfeti në shkallë të gjerë me zyrtarë të sigurisë kosovare dhe serbe, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të grupit të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Grupi gjithashtu ka komplotuar me politikanë të ndryshëm në disa marrëveshje quid pro quo, duke përfshirë ryshfetin në fillim të vitit 2019 të zyrtarëve kosovarë të sigurisë për të lejuar operacionet e tyre të kontrabandës ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe ryshfetin e fundit të vitit 2017 të zyrtarëve kosovarë të sigurisë kufitare për të lejuar kalimin e sigurt për kontrabandistët. Nga fundi i vitit 2017, Veselinoviq dhe vëllai i tij Zharko Jovan Veselinoviq (Zharko) kishin marrëveshje me politikanët për të ndihmuar partinë e tyre të fitojë zgjedhjet, të sigurojë fitore politike për kandidatët e tyre dhe të kontribuojë me shuma të mëdha parash për kandidatët”, thuhet në njoftimin e DASH-it.
Milan Radojiçiq është dyshuar për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Ai është arratis tri herë nga Policia e Kosovës. Dyshohet për frikësim të dëshmitarëve në rastin Brezovica.
Herën e fundit ai ishte shfaqur nga një kodër në veri të vendit, ku përmes një video të postuar në Youtube, kishte paralajmëruar se nuk ka më kthim prapa dhe se nuk do të zbrapset më.
Në videomesazhin e tij thekson se terrori kundër popullit serb po fillon./FrontOnline
Rruga Press