KQZ nis procedurën e zëvendësimit të 10 deputetëve të Listës Serbe
Me kërkesën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka zëvendësuar deputetët të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, të cilët dorëzuan mandatet e tyre më 7 nëntor.
KQZ-ja mori vendim për rekomandimin e kandidatëve të radhës për zëvendësimin e 10 deputetëve të dorëhequr të subjektit politik “Srpska Lista”.
Sipas rekomandimit “nëntë (9) kandidatët e radhës nga subjekti politik “Lista Srpska” dhe një (1) kandidat nga subjekti politik GI Za Slobodu Pravdu i Opstanak – GI SPO, të certifikuar në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat janë mbajtur më 14 shkurt 2021, do të zëvendësohen me 10 të dorëhequrit”.
Zëvendësimet janë bërë sipas tabelës vijuese:
KQZ nuk e hodhi fare në votim pikën për shqyrtimin e dorëheqjeve të Zyrtarëve të Lartë Komunal të Zgjedhjeve të Komunave Mitrovica e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Burim Ahmetaj kryeshef i sekretariatit të KQZ tha se sekretariati do t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore.
Sami Kurteshi, anëtar i KQZ-së nga LVV tha se është fatkeqësi që ata kanë dhënë dorëheqje si zyrtarë komunalë.
“Mendoj se dorëheqja e tyre nuk duhet të pranohet”- tha Kurteshi.
“Mua më vjen mirë që nuk kanë pas arsyetim për çështje diskriminimi, mosbashkëpunimi, sjellje të keqe të KQZ-së. Dorëheqja ligjërisht nuk është e drejtë” – tha ai.
Kreshink Radoniqi, kryesues i KQZ-së, tha që mos të ketë ngut për aprovimin e dorëheqjes së zyrtarëve të lartë Komunal të Zgjedhjeve të Komunave Mitrovica e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Sami Hamiti tha se kjo dorëheqje nuk ka të bëjë me çështje individuale, është çështje politike.
Deputetët e Listës Serbe kanë dhënë dorëheqje të hënen në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për konvertimin e tabelave nga ato ilegale në RKS.
Rruga Press