Serbët vendosin të largohen nga institucionet e Kosovës
Lista Serbe ka vendosur të shtunën që pjesëtarët e saj të largohen nga institucionet e Kosovës.
Goran Rakiq ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit për Komunitete dhe Kthim. Ai ishte ministri i vetëm serb në Qeverinë Kurti 2.
Ky vendim është marrë pas një takimi të zhvilluar në mesditën e së shtunës në Zveçan.
Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë.
Njoftimi i saj ka ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.
Rruga Press