Berlin: Ceremonitë që varrosën “Ballkanin e Hapur”
Kur ceremonitë e marrëveshjeve për lëvizjen e lirë me letërnjoftime u mbyllën në Berlin, Albin Kurti hodhi romuze për mungesën e Aleksandër Vuçiçit. “Nuk është që na mungoi fort, ndoshta të tjerëve, por jo mua” u tha gazetarëve, duke i lëshuar një thumb Edi Ramës.
Bashkë më Vuçiçin, Rama është investuar me ngulm për Ballkanin e Hapur, por nuk e pati problem që të hedhë një herë të dytë firmën në Procesin e Berlinit, për disa marrëveshje, që i kishte nënshkruar një herë krah Vuçiçit në Ballkanin e Hapur.
“Procesin e Berlinit” dhe “Ballkanin e Hapur” i kanë konsideruar përherë si dy nisma që tentojnë t’i mbivendosen njëra-tjetrës, sepse synojnë pak a shumë të njëjtin objektiv. Madje Ballkani i Hapur u interpretua shpesh me frikë, si projekt që zëvëndëson rrugëtimin drejt Bashkimit Europian, me një paradhomë ballkanike.
Fillimisht u ngjiz në Serbi. “Nisma e Novisadit” ishte një emër që nuk u pëlqeu nismëtarëve. Në fillim iu referuan si “Minishengeni Ballkanik”, pastaj ndryshuan mendje sërish dhe vendosën të gjithë bashkë ta quajnë “Ballkani i Hapur”. Por në çfarëdo emri t’i vinin, asnjëherë nuk u pa me sy të mirë nga Bashkimi Europian.
Diplomatët perëndimorë e patën të vështirë t’ia artikulojnë emrin në publik. Druheshin se duke e përmendur, dashje pa dashje e vlerësonin si një projekt për t’u marrë në konsideratë.
Por vështirësinë kryesore, dy ideatorët, Vuçiç dhe Rama e hasën brenda në rajon. Kosova, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi e refuzuan rregullisht Ballkanin e Hapur. Ngurrimi i tyre u pasua me ftesa publike, me lutje, thirrje për të arsyetuar, pastaj me akuza, përçmim, joshje dhe së fundmi indiferencë.
Marrëveshjeve që propozonte dyshja Rama-Vuçiç iu bashkua vetëm Zoran Zaev i Maqedonisë së Veriut. Pavarësisht kësaj, ata ecën disa hapa para.
Për shembull, në Nëntor të vitit 2020, në takimin e radhës online Rama, Vuçiç dhe Zaev ranë dakort për lëvizjen e lirë me karta identiteti mes tre shteteve. U fol sidomos për heqjen e kufijve Shqipërisë dhe Serbisë, sikur në mes të mos ishte Kosova, që refuzonte hapur projektin.
Një marrëveshje tjetër e rëndësishme e Ballkanit të Hapur ka qenë edhe njohja e ndërsjelltë e diplomave dhe titujve shkencorë. Firmat u hodhën në Ohër në fillim të qershorit nga Vuçiç, Rama dhe Kovaçevski.
Me ta u bashkua edhe kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç. Në rolin e dashamirësit, Abazoviç nuk pati tagër të firmoste asgjë për Malin e Zi.
Ballkani i Hapur pati kundërshtar presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç që paralajmëroi një genocid tjetër nëse realizohej synimi i Serbisë me këtë projekt.
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani në Kosovë kanë bërë akuza të forta kundër projektit Rama-Vuçiç, si një nismë që i hap rrugë interesave të Rusisë në rajon.
Përfaqësues të Bosnje-Hecegovinës e kanë arsyetur refuzimin me idenë se Ballkani i Hapur mund t’i vërë në rrezik përparimin që kishin bërë në këto vite në procesin e integrimit për në BE.
Dyshimet nuk qenë pa arsye. Një goditje të fortë për Ballkanin e Hapur e dha tentativa e Ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov për t’iu bashkuar takimit në Beograd. Ishte kulmi i konfliktit Rusi-Ukrainë. Vuçiç e mirëpriti. U desh të bllokohej hapësira ajore përreth Serbisë.
Rruga e Sergei Lavrov u bllokua. Ai e përshëndeti nismën e Ballkanit të Hapur nga Moska dhe deklaroi se NATO ishte kundër saj.
Pikërisht në këtë periudhë, kur refuzimet e kishin futur në ngërç nismën Vuçiç-Rama, erdhi takimi i radhës në Procesin e Berlinit. Kancelari Sholtz dhe presidentja e Komisionit Europian, Von der Leyen shfrytëzuan dështimin e Ballkanit të Hapur, për të arritur tek një triumf i Procesit të Berlinit.
Marrëveshjet që deri dje konsideroheshin gjysmake dhe shiheshin si projekte që ngjallnin frikë, morën firmat e 6 shtetarëve ballkanike të enjten në Berlin. Shqipëri, Kosovë, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut, Serbi dhe Bosnje Hercegovinë janë bashkë për:
1) Marrëveshjen mbi lëvizjen e lirë me karta identiteti në Ballkanin Perëndimor
2) Marrëveshjen mbi njohjen e diplomave të Arsimit të Lartë në Ballkanin Perëndimor
3) Marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve, arkitektëve
Përfitimet e lëvizjes së lirë të shtetasve nga këto marrëveshje janë vetëm njëra anë e medaljes. Politikisht, Kosova duket të jetë përfituesja më e madhe nga procesi në Berlin.
Me lëvizjen e lirë me letërnjoftime, bie edhe muri i fundit i vizave që qëndronte brenda Ballkanit Perëndimor, mes Bosnje Hercegovinës dhe Kosovës. Për shkak të presionit të serbëve të Bosnjës, ky shtet ende nuk e njeh Kosovën, por me nënshkrimin e marrëveshjes de facto ka njohur dokumentet e saj.
E njëjta gjë vlen edhe për Serbinë. Ndërkohë që ka ngritur avionët në kërkim të dronëve misteriozë në kufi, Vuçiç dërgon kryeministren Bërnabiç të firmosë njohjen e letërnjoftimeve të Kosovës.
Por dyshja Vuçiç-Rama mori një goditje të fortë të enjten. Praktikisht, në Berlin u varrosën shpresat e dyshes për të marrë frenat e politikës rajonale.
Ironikisht, marrëveshjet e firmosura në Berlin janë të njëjtat që kishin propozuar Vuçiç dhe Rama. Janë të njëjtat që liderët e Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje hercegovinës refuzuan t’i firmosin nën hijen e Vuçiçit apo të Ramës, por pranojnë t’i nënshkruajnë nën garancinë e kancelarit gjerman dhe Bashkimit Europian.
Takimi i radhës i Procesit të Berlinit do të zhvillohet në Tiranë në datën 6 Dhjetor. Mbetet për t’u parë nëse Rama do ta bindë Vuçiçin t’i bashkohet takimit.
Rizgjimi i “Procesit të Berlinit”, detyrimisht vë në gjumë “Ballkanin e Hapur”, që Edi Rama e ka promovuar aq shumë me Aleksandër Vuçiçin. Prandaj dhe Albin Kurti i hidhte kunja në Berlin./Lapsi.al
Rruga Press