Targat, Ballkani i hapur mbi dy teneqe!
Nga LUTFI DERVISHI
Qeverisë në Kosovë i kërkojnë t’i japë më shumë kohë minoritetit serb që të mësohet se kur je shtetas i Kosovës dhe jeton në Kosovë nuk duhet të përdorësh targat e një shteti tjetër, të një kohe tjetër, por targat e Kosovës.
Nga 120 mijë qytetarë serbë që jetojnë sot në Kosovë, rreth 5000 prej tyre mbajnë targat e vjetra, targat e Kosovës në kohën kur ishte nën Serbi. Për këto targa po tensionohet situata dhe është mobilizuar faktori ndërkombëtar. Edhe 10 vjet t’i japësh kohë sërish minoriteti serb aty do të bëj çfarë e urdhëron Beogradi. Edhe po t’i thuash që edhe diplomatët që jetojnë në një shtet nuk mund të mbajnë dot targat e shtetit akreditues, sërish është e njëjta histori.
Minoriteti serb në Kosovë, aq sa është, gëzon mbrojtje të veçantë në kushtetutë dhe as mund të krahasohet me ndonjë minoritet tjetër në rajon për diskriminimin pozitiv që i bëhet që nga vendet e rezervuara në Parlament e deri te fakti që, megjithëse janë 1.5% e popullsisë, serbishtja është gjuhë zyrtare në Kosovë.
Ka edhe 6 minoritete të tjera në Kosovë, por minoriteti serb është ‘më i barabartë se minoritetet e tjera’ është vendi për të kujtuar se që nga 2008 serbët në veri nuk paguajnë faturat e dritave, të ujit, taksë banese, taksë toke etj., përdorin dinarin dhe jo euron. Pra, shtet paralel. Edhe nëse zgjidhet çështja e targave, edhe nëse u thuhet mbani çfarë targe të dëshironi sërish do të gjendet një shkak tjetër për të mbajtur nën presion Prishtinën dhe për të tensionuar situatën. Dhe çelësi për të bërë ‘luftë’ apo paqe në Veri të Kosovës gjendet në Beograd.
Si reagon Beogradi? Butaforia e mobilizimit të trupave të ushtrisë, mbledhje të Këshillit të Sigurisë dhe paraqitja e çështjes së targave si çështje për jetë a vdekje? Çështja e targave duhet të jetë mësim edhe për Tiranën për të kuptuar se me Ballkanin e Hapur jo çështje të mëdha si ‘njohja e ndërsjellë’, por as çështje qesharake si ajo e targave të kohës së Millosheviqit nuk mund të zgjidhë dot. Targat në fakt sado banale të duken diskreditojnë çdo ligjërim avokatie pro ‘Ballkanit të Hapur’. Dhe për çështjen e targave janë dakordësuar në Bruksel më 2016. Serbia ka nënshkruar marrëveshje që këto targa të hiqen (ashtu sikundër edhe pagesën e energjisë), por në terren bën të kundërtën e asaj që ka nënshkruar.
Kur ‘grindesh’ për një gjë të parëndësishme në Shqipëri përdoret shprehja ‘për mustaqet e Çelos’ dhe pyetja sot është: ‘për mustaqet e Çelos’ apo për ‘tablicat e Çedos’? Ja për këto targa të kohës së Millosheviqit, Serbia kërcënon me luftë!!! Për këto targa të kohës së Milosheviqit janë mobilizuar diplomatët perëndimorë! Presioni ndërkombëtar mbi Prishtinën është jo proporcional. Qasja teknike hap pas hapi po mbush një dekadë me rezultate minimale. Zgjidhjet teknike nuk çojnë në zgjidhje politike. E kundërta: vetëm zgjidhjet politike pasohen nga ato teknike./Panorama
Rruga Press