(Video) “Na kanë mashtruar”/ Rekrutët rusë refuzojnë të shkojnë në front pasi nuk morën paratë e premtuara
Më shumë se 100 rusë të mobilizuar në Ulyanovsk, kanë refuzuar shkuarjen në vijën e frontit në Ukrainë, pasi nuk u janë dhënë paratë që u ishin premtuar, raporton “Daily Mail”.
Në një video, që ka bërë bujë në rrjete sociale, shihen ushtarët duke u rebeluar, pasi nuk kanë marrë 300 mijë rubla (4200 funte) të cilat u ishin premtuar për familjet e tyre në rajonin e varfër Chuvashia.
Një oficere ushtarake është parë duke iu kundërvënë burrave.
“Djema, unë nuk ju premtova 300 mijë rubla”, thotë ajo.
“Është e qartë – na kanë mashtruar”, reagon një nga ushtarët e rebeluar.
Njësiti ushtarak po kalonte stërvitjet në Ulyanovsk, para se të dërgohej në front në Ukrainë.
Ukraina ndërkohë ka raportuar se kompanitë private ushtarake në Rusi po rekrutojnë të burgosur nga burgjet e qytetit.
Kritikët thonë se po dërgohen burra si mish për top, por mijëra prej tyre janë bindur nga premtimet për pagesa të larta.
“Kam ardhur këtu nga Moska”, tha njëri nga rezervistët, i zemëruar që paratë nuk arritën në familjen e tij. “Sepse ky është atdheu dhe presidenti na bëri thirrje gjithë ne. Kur erdha në zyrën e regjistrimit, komisari ushtarak më tha: ‘Dy-tri ditë pasi të regjistroheni do të keni një pagesë prej 300 mijë rubla”.
Paratë ishin menduar t’u shkonin familjeve të tyre të varfra në rajonin Chuvashia, por nuk arritën atje.
Në video burrat dëgjohen duke kërkuar shpjegim: “Kush na mashtroi?”
Të tjerët thanë: “Është e pashpresë. Pse jemi këtu?”
Oficerja ushtarake ka thënë se premtimi për para ka qenë në një projektligj por nuk është ratifikuar nga Partia Komuniste.
“Ata duhet t’i kthejnë letërnjoftimet e partisë dhe të shkojnë vetë pastaj” – thuhet në përgjigjen e njërit prej rekrutëve.
“Shteti refuzon të na paguajë paratë që na u premtuan nga presidenti Vladimir Putin. Pse atëherë të shkojmë të luftojmë për këtë shtet, duke lënë familjet tona pa mbështetje?” – thuhet në reagim.
Sipas raporteve, që nuk janë konfirmuar, thuhet se kryengritja ishte shtypur më pas nga forcat e Putinit.
Rruga Press