Goncharenko: Në Parlamentin e Ukrainës është krijuar grupi “Miqtë e Kosovës”
Deputeti ukrainas, njëherësh anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Oleksiy Goncharenko, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë, ka njoftuar të enjten, se në Parlamentin e Ukrainës është krijuar grupi i deputetëve “Miqtë e Kosovës”.
Derisa u prit në takim nga presidentja Vjosa Osmani, Goncharenko, ka thënë se ky grup do të shërbejë si platformë për thellimin e bashkëpunimit parlamentar mes dy vendeve.
Sipas komunikatës nga Zyra e Presidencës, në këtë takim Osmani ka theksuar se Kosova që nga fillimi i agresionit rus është në krah të Ukrainës, si dhe i ka bashkërenduar veprimet politike me aleatët evropianë dhe amerikanë.
“Presidentja ka potencuar se Kosova prej fillimit të agresionit të Rusisë është në anën e BE-së, ShBA-së dhe vendeve demokratike dhe i është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë. Ajo ka theksuar se populli i Kosovës ka hapur zemrën dhe derën për të strehuarit nga Ukraina”, thuhet në njoftim.
Deputeti Goncharenko, sipas njoftimit, ka shprehur mbështetjen e tij për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe se do të angazhohet në zgjerimin e mbështetjes për Kosovën brenda Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Rruga Press