Opinion/Aktualitet

Dështimi i ndërkombëtarëve të Tiranës

Nga Andi Bushati

Ndërkombëtarët në Tiranë kanë filluar të korrin frutat e para të hidhura të asaj që kanë mbjellë për një kohë të gjatë me mbështetjen e Edi Ramës. Diplomatët e vendosur këtu po rrudhin gjithnjë e më tepër buzët me qëndrimet e kryeministrit për ndërhyrjet e tyre në institucionet e drejtësisë së re. Ata kanë ngërç për t’i raportuar shefave të tyre, se si qeveria shqiptare nuk po i përfill paralajmërimet e shtuara të Brukselit, Berlinit, Parisit dhe Londërs, për të mos mos bërë një amnisti fiskale dhe penale për paratë e pista. Ata po vërejnë me dhimbje se si njerëz që deri dje i përkrahnin, si ish-drejtori i policisë, apo kreu i SHISH, po spastrohen nga administrata e vendit.

Publikisht, së paku në këto 3 pika, sfida e kryeministrit shqiptar ka qenë e hapur dhe arrogante. Ndonëse në formë ai ka të drejtë, pasi reforma në drejtësi nuk u bë që ambasadorët të qëndrojnë pas dere sa herë gjykatat marrin një vendim; ndonëse parimisht ai nuk gabon kur ua përplas në sy me guximin e një sovranisti, se paratë e krimit shqiptar nuk kanë pse i gëzojnë britanikët përpara hasianëve, sërish, në këto qëndrime, ka një devijim nga shinat e mëparshme.

Tani ka ardhur koha që edhe burokratët e vegjël që merren me punët e Shqipërisë të kuptojnë se janë në zanafillë të këtij ndryshimi kursi. Sepse me qëndrimet e tyre për një kohë të gjatë, me mbështetjen pa kusht që i kanë dhënë, ata e kanë transformuar yes-manin e dikurshëm në një njeri të aftë për tu rebeluar.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Për një kohë të gjatë diplomatët e Tiranës dhe shefat e tyre në qendër kanë vazhduar ta konsiderojnë një histori sukesi reformën në drejtësi, që pushteti po e kapte, përditë nga pak, deri sa e solli në pikën që qytetarët nuk besojnë më tek kjo fabul e dalë boje.

Ata kanë mbyllur sytë përballë degradimit të shpejtë të demokracisë, blerjes së mediave, korruptimit të shoqërisë civile dhe tkurrjes së pareshtur të lirive.

Ata i kanë quajtur normale, si zgjedhjet lokale moniste, po ashtu edhe parlamentin ku një shportë karavidhesh luanin rolin e opozitarëve fallco.

Ata, në rastin më të mirë janë treguar indiferentë dhe në atë më të keq kanë përshëndetur “fitoren historike” për zgjedhjet e blera me paratë e drogës dhe të dhunuara me banda si ato të Elbasanit.

Ata kanë dëshmuar zell në goditjen sistematike të çdo opozitari, që kur i etiketuan liderët e PD-së dhe LSI-së si njerëz që punonin kundër interesit të popullit të tyre e deri te manovra e ndyrë dhe përçarëse e “non-gratas”. 

Pra, në këto 9 vite qeverisje, ata kanë toleruar asgjesimin e të gjitha kundër pushteteve dhe dobësimin e skajshëm të opozitës duke ndihmuar me duart e tyre formëzimin e një autokrati të pakontrollueshëm. 

Sot Edi Rama nuk i trembet më as ndëshkimit ligjor, nga një drejtësi që e ka vënë nën këmbë, as atij politik, nga një opozitë e telendisur dhe e përçarë. Partnerët tanë për herë të parë në këto tre dekada kanë lëshuar levën që gjithmonë e kanë pasur në duar, mundësinë për të ushtruar presion mbi një lider që u devijon nga shinat. Duke miratuar ose pranuar në heshtje rafshimin gjithçkaje përreth Edi Ramës ata kanë përgatitur ditën kur ai do ti sfidonte publikisht dhe në mënyrë moskokëçarëse.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Si rezultat i kësaj trajektoreje u prodhua grisja e marëveshjes së 5 qershorit të cilës i afishuan fytyrat ambasadorja amerikane, homologu i saj anglez dhe ai i BE, për të ndryshuar më pas, në mënyrë të njëanëshme, regullat e zhvillimit të lojës zgjedhore. Si pasojë e kësaj është mendësia shpërfillëse se raportet e Departamentit të Shtetit janë kotësiara që riprodhohen me “copy paste” vit pas viti, apo denduria e kritikave ndaj një BE-je jo funksionale dhe busullhumbur.

Prandaj, tani, diplomatët perendimorë po shohin me habi, se si njeriu që dikur u thoshte se i ka firmosur letrën e bardhë për të reformuar drejtësinë shqiptare, tani u tregon kufirin e mos përzieries në të. Prandaj ata po ndihen të sfiduar, kur e shohin se apelet për të mos e shndëruar Shqipërinë një një lavatriçe të parave të krimit, bien në vesh të shurdhër. Ata i kanë krijuar kushtet që kjo të ndodhte një ditë. E ndonëse kurësesi shqiptarët nuk mund të shfajësohen duke i lënë fajin ndërkombëtarëve për regjimin që është instaluar në Tiranë, as këta të fundit, nuk mund të bëjnë sikur u gdhinë një ditë papritur dhe u ndeshën përballë me një autokrat./LAPSI 

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *