Ish-ambasadori amerikan: Serbia ka zgjedhur Rusinë
Ish-ambasadori amerikan në Serbi, Michael Kirby, beson se Serbia ka marrë krah kah Rusia në luftën me Ukrainën e se duke parë lëvizjet e saj, fqinjët duhet t’i druhen.
“Nga larg, duket se Serbia ka zgjedhur anën e Rusisë në luftën Rusi-Ukrainë”, ka thënë Kirby për “Zërin e Amerikës”.
Gjatë dy ditëve të fundit, përfaqësuesit e më shumë se 50 shteteve dhe organizatave u mblodhën në Zagreb për të diskutuar, në mes shumë çështjeve, edhe për t’i gjetur rrugët e ndihmës për Ukrainën. Në mesin e liderëve botërorë në Forumin për Krimenë, ishte kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Nancy Pelosi.
Zyrtarët kroatë dhe organizatorët kanë thënë se përfaqësuesit e Serbisë ishin ftuar, por ende s’ka pasur një njoftim zyrtar nga Beogradi se përse është refuzuar.
Ambasadori i Rusisë në Serbi më 16 shtator, në një takim me kryeparlamentarin serb, Vladimir Orliq, pati thënë se delegacioni i Parlamentit Serb s’do të marrë pjesë në këtë forum.
Kirby, që ka shërbyer në Serbi nga viti 2012 deri më 2016, ka thënë se beson që Rusia ka ndikim të madh në institucionet e rëndësishme të Serbisë dhe partinë në pushtet, dhe se ka një distancim të theksuar të Qeverisë serbe nga rruga evropiane e kthim në favor të Rusisë, veçanërisht presidentit Vladimir Putin, shkruan “N1”.
“Shumë do të vinin në mëdyshje nëse Qeveria e Serbisë është e përkushtuar në rrugën evropiane. Thotë se është e fokusuar në të ardhmen demokratike. Nëse po, lëvizjet e saj bien në kontradiktë”, ka thënë Kirby. “Duke marrë për bazë kundërshtimin e Serbisë për pavarësinë e Kosovës, duket se Serbia po e pranon kapjen ruse të territoreve, me standarde të dyfishta”.
Ai ka thënë se po që se do të ishte fqinj i Serbisë, dhe duke parë admirimin e qartë për Putinin, që ka sulmuar dy herë Ukrainën, do të kishte drojë nëse Serbia do t’ia imitojë lëvizjet Putinit, jo vetëm t’ia shprehë pëlqimin.
Rruga Press