Rusia paralajmëron fillimin e betejës në Kherson, u bën thirrje qytetarëve të largohen
Komandanti i forcave ruse në Ukrainë ka thënë se situata në qytetin jugor të Khersonit është e vështirë dhe banorët duhet të evakuohen.
Gjenerali Sergeri Surovikin tha se trupat ukrainas duke përdorur raketat Himars po godasin infrastrukturën dhe banesat e qytetit. Ai foli në televizionin shtetëror rus, shkruan BBC-ja të mërkure.
“Ushtria ruse mbi të gjitha do të sigurojë evakuimin e sigurt të popullsisë së Khersonit”, tha ai.
Pranimi i tij i rrallë i problemeve të mëdha u bë jehonë nga një zyrtarë i lartë vendas.
Zyrtari rajonal i instaluar nga Rusia, Kirill Stremousov, paralajmëroi banorët e Khersonit se “në të ardhmen shumë të afërt” trupat ukrainase do të nisnin një sulm ndaj qytetit.
“Ju lutemi merrni seriozisht fjalët e mia – po flas për evakuimin sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ai në shërbimin e mesazheve Telegram. Ai shtoi se njerëzit në bregun perëndimor të lumit Dnieper (i quajtur Dnipro në Ukrainë) ishin më të rrezikuarit.
Këtë e ka konfirmuar përmes një videomesazhi guvernatori i rajonit, Vladimir Saldo, i emëruar edhe nga Rusia.
Khersoni ishte qyteti i parë i madh që ra në duart e rusëve, në shkurt.
Forcat ukrainase kanë rimarrë në mënyrë të qëndrueshme territorin e afërt gjatë javëve të fundit. Ata janë shtyrë deri në 30 km (19 milje) në jug përgjatë Dnieper, duke kërcënuar të bllokojnë trupat ruse.
“Në tërësi situata në zonën e operacionit special ushtarak mund të përshkruhet si e tensionuar”, tha gjenerali Surovikin.
Khersoni është i vetmi kryeqytet rajonal ukrainas që është pushtuar nga rusët në pushtimin e tyre. Kremlini tani pretendon se Khersoni dhe tre rajone të tjera të Ukrainës janë pjesë e Rusisë – një pretendim i refuzuar ndërkombëtarisht.
Rruga Press