Fjalët e Xi Jinping që thuajse e konfirmojnë luftën e ardhshme në Tajvan
A është lufta në Tajvan thjesht çështje kohe? Fjalimi i Xi Jinping sapo mund ta ketë konfirmuar, dhe kërcënimet e Biden nuk po ndihmojnë aspak.
Gjendemi përpara një momenti historik, kur fjalimi i udhëheqësit kinez gjatë Kongresit të Partisë Komuniste, mund të ketë konfirmuar luftën e ardhshme me të cilën do të përballet globi.
Kina është përgatitur prej vitesh për këtë moment. E gjithë artileria e saj ushtarake i është dedikuar pikërisht ditës kur Kina ndërhynë në Tajvan dhe përballet me askënd tjetër përveç ushtrisë më të fuqishme në planet – atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Duke iu drejtuar hapjes së kongresit të Partisë Komuniste, një herë në pesë vjet, në Pekin ditën e djeshme më 16 tetor, presidenti Xi Jinping tha se Kina tashmë e ka mbyllur misionin e saj në Hong Kong, dhe se misioni i ardhshëm tani do të jetë Tajvani.
“Kina ka arritur kontroll të plotë mbi Hong Kongun, duke e kthyer atë nga kaos në qeverisje. Fokusi tashmë do të jetë Tajvani. Ne këmbëngulim se do të përpiqemi për perspektivën e një ribashkimi paqësor me sinqeritetin më të madh dhe me përpjekjet më të mëdha,” tha ai. “Megjithatë, ne kurrë nuk do të heqim dorë nga e drejta jonë për të përdorur forcën mbi Tajvanin, dhe ne rezervojmë opsionin për të marrë të gjitha masat e nevojshme”, tha ai.
“Rrota e historisë së ribashkimit kombëtar dhe përtëritjes kombëtare po rrotullohet përpara, ribashkimi patjetër duhet të arrihet dhe ribashkimi patjetër do të arrihet,” shtoi ai.
Në përgjigje të vërejtjeve të Xi, Taipei deklaroi se nuk do të heqë dorë nga sovraniteti i tij dhe se nuk do të bëjë asnjë kompromis për lirinë dhe demokracinë e vendit.
‘Lufta e ftohtë’ mes Kinës dhe SHBA-së nuk e ka ndihmuar aspak situatën
Javën e shkuar, Biden konfirmoi një grup gjithëpërfshirës sanksionesh për sa i përket eksportit të çipave gjysmëpërçues.
Rregullat e reja përfshijnë masën për të përjashtuar Kinën nga përdorimi i çipave gjysmëpërçues të prodhuar kudo në botë me mjete amerikane.
Praktikisht, Biden ka ndaluar çdo lloj çipi të prodhuar në SHBA ose kudo tjetër në botë me mjete amerikane, duke zgjeruar kështu përpjekjet amerikane për të ngadalësuar përparimet teknologjike dhe ushtarake të Pekinit.
Por ajo që nuk e ndihmon aspak situatën është se ‘lufta për Tajvanin’ po bëhet mbi të gjitha për këto mikroçipe.
Kina është lidhur fort me Rusinë për të kompensuar mangësitë e rezervave të saj të naftës dhe gazit të cilat janë të nevojshme për zhvillimin ekonomik të Kinës.
Pa eksportet e energjisë, rezervat kombëtare të Kinës do të zgjasnin vetëm 90 ditë, nëse vendi do të mbante të njëjtat ritme të prodhimit dhe industrisë, sipas përllogaritjeve të ekspertëve vendas.
Ndërkohë, për të ruajtur pozicionin e saj dominues për sa i përket teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, Kinës i duhet Tajvani – pikërisht për kapacitetet e tij si vendi i parë në botë për prodhimin e mikroçipeve që janë esencial në çdo lloj pajisjeje të avancuar teknologjike, nga makinat tek kompjuterët, celularët, armët, makineritë e ndryshme industriale, ushtarake, mjekësore etj.
Masat e reja të prezantuara nga administrata Biden pak para Kongresit të Partisë Komuniste Kineze vetëm sa e kanë egërsuar retorikën e Xi Jinping.
Gama e masave mund të përbëjë ndryshimin më të madh në politikën e SHBA-së ndaj teknologjisë së transportit në Kinë që nga vitet 1990. Nëse janë efektive, ato mund ta kthejnë industrinë e prodhimit të çipave të Kinës vite të tëra prapa duke detyruar kompanitë amerikane dhe të huaja që përdorin teknologjinë amerikane të ndërpresin totalisht mbështetjen për disa nga fabrikat dhe projektuesit kryesorë të çipave në Kinë.
Në një konferencë me gazetarët të enjten duke parë paraprakisht rregullat, zyrtarë të lartë të qeverisë thanë se shumë nga këto rregulla synonin të pengonin firmat e huaja që të shesin çipa të avancuar në Kinë ose t’i furnizojnë firmat kineze me mjete për të prodhuar çipat e tyre të avancuar.
Gjendemi përpara kësaj situate, ku SHBA nuk po tërhiqet mbrapa dhe duket e vendosur për të mposhtur dominimin e Kinës në arenën globale. Fatkeqësisht, të njëjtat qëllime duket se ka edhe Kina – tashmë në unison me Rusinë. A është lufta në Tajvan thjesht një çështje kohe?
Rruga Press