NATO nis stërvitjet bërthamore me mbi 60 avionë
Aleanca e NATO-s, do të nisë stërvitjet bërthamore nga e hëna me rreth 60 avionë, përfshirë bombarduesit amerikanë B-52. Stërvitjet të cilat janë rutinë për NATO-n, mbahen në mes të tensioneve të rritura dhe kërcënimeve të Rusisë, e cila po ashtu pritet të testojë aftësitë e saj nukleare gjatë këtij muaji.
NATO tha se do të niste stërvitjen ushtarake vjetore të hënën me rreth 60 avionë, që do të marrin pjesë në fluturime stërvitore mbi Belgjikë, Detin e Veriut dhe Britaninë e Madhe, për të praktikuar përdorimin e bombave bërthamore të SHBA-ve me baza në Evropë.
Stërvitjet bërthamore, të cilat nuk përfshijnë bomba të vërteta, po zhvillohen në mes të tensioneve të larta, pasi Rusia, kërcënon vazhdimisht me sulme bërthamore në Ukrainë pas pengesave të mëdha ushtarake në fushën e betejës atje.
Sipas gjasave, stërvitjet e Aleancës mund të zhvillohen paralelisht me ato të Rusisë, e cila zakonisht në fund të tetorit teston bombarduesit, nëndetëset dhe raketat e saj me aftësi bërthamore.
NATO tha se stërvitjet perëndimore nuk u nxitën nga tensionet e fundit me Rusinë.
Belgjika po pret stërvitjet që do të përfshijnë 14 vende dhe deri në 60 avionë, duke përfshirë avionët luftarakë më të avancuar në treg dhe bombarduesit amerikanë B-52 me rreze të gjatë, që do të fluturojnë nga baza ajrore Minot në Dakotën e Veriut.
Të martën, shefi i NATO-s Jens Stoltenberg, bëri të qartë se aleanca do të vazhdojë me stërvitjet e saj pavarësisht situatës së tensionuar ndërkombëtare.
Anulimi i stërvitjeve për shkak të luftës në Ukrainë, do të dërgonte një sinjal shumë të gabuar tha Stoltenberg për gazetarët, duke argumentuar se forca ushtarake e NATO-s ishte mënyra më e mirë për të parandaluar çdo përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve.
Rruga Press