Opinion/Aktualitet

Një fjalim për të kthyer Thaçin në skenë

Nga Andi Bushati

Fjalimi i fortë i Edi Ramës përpara Këshillit të Evropës pati dy mesazhe: një publik dhe një të fshehur. Për të parin kryeministri shqiptar foli shumë qartë. Ai argumentoi se pandehmat e ngritura nga Karla del Ponte dhe Dik Marti për trafik organesh dhe shtëpi të verdhë nuk janë vërtetuar, prandaj ky institucion që përfaqëson ndërgjegjjen e kontinentit tonë, duhet ta revokojë rezolutën e një dekade më parë. 

Edi Rama bëri një ekspoze të qartë, të ndërthurur përsosmërisht me pikpyetje të denja për idhtarët e teorive komplotiste, duke vënë në pah rolin e Rusisë dhe partisë së Putinit në fabrikimin e këtyre akuzave.

Deri në këtë pikë ai mund të tundte me krenari skeptrin e intelektualit që përdor leximet e Kafkës dhe Dostojevskit për të ndriçuar të vërtetën, flamurin e patriotit që mbron të drejtën e kombit të vet, bindjet e europianistit që beson tek disa ideale të përbashkëta.

Për këtë pjesë publike të fjalimit të tij, ai duhet lavdëruar, pa u kalamendur kot së koti në pandehmat se sa i mbrujtur është ai realisht me këto vlera dhe parime. Ai mbajti në Strasburg ligjërimin që duhet të kishte mbajtur çdo lider shqiptar.

Por, nga ana tjetër, teksti i tij ishte i ngarkuar me mesazhe të fshehta që lexoheshin qartë në filigran. Ai kishte një fjalim brenda fjalimit që lidhej ekskluzivisht me partnerin e vet politik, Hashim Thaçi. Ai e krahasoi ish presidentin e Kosovës me personazhin e Jozef K, të romanit “Procesi”, duke aluduar për një gjykim të manipuluar kundrejt tij, ai nuk harroi të rikujtonte shprehjen e dikurshme të Xho Bidenit që e krahasonte me Xhorxh Uashingtonin e Kosovës, ai u përpoq ti prekte asambleistët duke i provokuar se ç’do të mendonin ata nëse një fat të tillë do ta kishte pas dhjetë vitesh Zelenski, ai e përshkroi atë si një president që punonte për paqen dhe u gdhi papritmas në kriminel lufte.

Lexo më shumë  Kurti në ‘STEMinists’24’: Zhvillimi i shtetit - përparimi i qytetarëve

Ky fjalim brenda fjalimit, në mbrojte të Hashim Thaçit është pjesë e një strategjie të elaboruar nga kryeministri shqiptar. Ndonëse në ligjëratën e sotme ai deklaroi se “ne nuk kërkojmë zhbërjen e Gjykatës speciale”, që kur ajo mori ish presidentin e Kosovës, ai e ka vënë në dyshim legjitimitetin e saj. Shprehjet publike për “proces absurd”, vizita e pazakontë tek miku i tij në burgun e Scheveningenit, diferenca mes qëndrimeve kur drejt Hagës shkoi Ramush Haradinaj dhe kur aty u thirr Thaçi, dëshmojnë se përpos qëndrimit parimor ka edhe një hall personal.

Tashmë të gjithë e dinë se Rama kishte sëbashku me Hashim Thaçin një projekt për të zgjidhur problemin me Serbinë përmes paktit me Vuçiçin për shkëmbimin e popullsive dhe territoreve. Ata projektuan së bashku një marrëveshje për amnistimin e krimeve të luftës që do e zhbënte tribunalin e Hagës. Askush nuk i ka harruar deklaratat e Ramës në kuvendin e Kosovës për një president të përbashkët të dy vendeve, kur Thaçi qe në krye të shtetit, apo deklaratat se kush e akuzon atë është “gomar”. 

Lexo më shumë  Thika para ligjit/ Si e shuajti Rilindja e Ramës skandalin e burrit të ministres Delina Ibrahimajt!

Pra Rama dhe Thaçi kanë pasur së bashku një projekt për të mbretëruar gjatë me ndihmën e njëri- tjetrit, ose në një komb të bashkuar pas ndarjes së kufijve, ose në një mënyrë tjetër. 

Disa sot pretendojnë se kjo mbrojtje që kryeministri në detyrë po i bën ish presidentit të burgosur, me çmimin e lartë të sfidimit të institucioneve ndërkombëtare, ka në vetvete një lloj pengmarrjeje apo detyrimi për të ruajtur sekretet e përbashkëta. Por, pa kaluar në fantazi, ajo mund të yshtet nga një interes i pastër politik. Edi Rama po tenton të shpëtojë dhe rehabilitojë Hashim Thaçin, sepse ai kërkon me ngulm një partner, që nuk i bëhet pengesë në projektet e tij Ballkanike, ashtu sikurse Albin Kurti. 

Këtu duhet kërkuar arsyeja se pse ai atakoi përpara Këshillit të Europës vërtetësinë e fabulës që e çoi ish kreun e UÇK-së në burg. Qëllimi qe i lexueshëm: të delegjitimojë procesin e sotëm në Hagë, ku në fakt, nuk bëhet aspak fjalë për trafik organesh. 

Prandaj, ndonëse në pamje të parë fjalimi i sotëm mund të duket i drejtë dhe patriotik, ai ngërthen në vetvete edhe një qëllim të pashprehur politik, përpjekjen  për të ndryshuar ekuilibrat në skenën politike të Prishtinës.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *