Lajme

Gërvalla i bën thirrje BE-së që të ngrijë bisedimet me Serbinë

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të mbajë një qëndrim më të vendosur ndaj Serbisë për shkak të afërsisë së saj me Rusinë.

“Serbia po tregon sot se nuk ka interes për anëtarësim në Bashkimin Evropian, kështu që do të ishte përfundim logjik që të ngrihet statusi i kandidatit dhe bashkë me të edhe fondet që shkojnë me statusin e kandidatit”, ka thënë Gërvalla-Schwarz në intervistë për agjencinë austriake “APA”.

Gërvalla ka thënë se një lëvizje tjetër e BE-së do të ishte vendosja e sanksioneve ndaj oligarkëve serbë që bëjnë marrëveshje energjetike me oligarkët rusë.

“Sepse nuk është në rregull që një shtet evropian si Serbia në mes të Evropës është i vetmi që io përkrah financiarisht dhe i shërben ata që po bëjnë luftë kundër Ukrainës”, tha Gërvalla.

Ministrja e Jashtme e Kosovës ka thënë se agresioni rus në Ukrainë ka ndryshuar përfundimisht situatën në Ballkanin Perëndimor.

Lexo më shumë  Bllokohet nisma hungareze për avancimin e integrimit të Serbisë në BE

Ajo ka thënë se derisa gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor po tentojnë ta dobësojnë Rusinë, Serbia po vepron ndryshe.

Gërvalla ka akuzuar se Bashkimi Evropian po zbutet në raporton me Serbinë.

“Unë mendoj se Bashkimi Evropian po bën shumë pak. Edhe në vitet 1990-ta, BE-ja është përpjekur që konfliktin në Ballkan gjithmonë ta shohë nga njëra anë, në mënyrë që të bëhet e lehtë të injorohen problemet dhe të mos shihen ato”, ka thënë Gërvalla.

Ajo ka thënë se në këtë mënyrë problemet nuk zgjidhen, por vetëm bëhen më të mëdha.

Ajo ka thënë se është e nevojshme të ketë një “strategji shumë të qartë” se si mund të përfundojë procesi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Nuk mjafton vetëm të thuash: fëmijë, uluni këtu dhe mos u grindni, por vërtetë duhet të vini në tryezë me një mesazh të qartë dhe nuk mund të ketë rrugëdalje tjetër nga ky dialog përveç njohjes reciproke”, ka thënë Gërvalla.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti: Qeveria e Kosovës po harton ligj të ri për mbrojtjen nga diskriminimi

Ajo ka thënë se nuk ka vetëm rrezik për ndonjë bllokadë tjetër në Kosovë, por konflikti mund të përhapet edhe në Bosnjë-Hercegovinë e Mal të Zi.

“Fakti që Serbia është kaq e varur nga Rusia është kryesisht falë këtij presidenti”, ka thënë Gërvalla-Schwarz, duke aloduar në presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Ajo ka thënë se Kosova shkon në Bruksel për të arritur rezultate në dialog.

Ndërsa sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, Gërvalla-Schwarz, ka thënë se shpreson që më në fund të ketë përparim.

“Është koha, dhe nuk ka ndonjë arsye të qëndrueshme, pse kosovarët të jenë të vetmit që duhet mbetur të izoluar, të cilët nuk mund të udhëtojnë pa viza”, tha Gërvalla.

E pyetur nëse Kosova është trajtuar drejt nga BE-ja, Gërvalla, tha: “Marrëdhëniet tona me BE-në janë shumë më të gjera se liberalizimi i vizave dhe mbi të gjitha, ne kemi një të ardhme të përbashkët”.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *