Oligarkia, VKM-ja dhe sekuestrimi i kotecit të pulave dhe 16 WC-ve
Nga Boldnews.al
Një letër me tre vula mbërriti në shtëpinë e 82-vjeçares! Një vulë e qeverisë, një e KKT-së dhe tjetra nga Njësia Vendore e Nartës, në Bashkinë Selenicë. Letrën e hapi dhe e lexoi me vështirësi Lefkothea: “Në kuadër të operacionit ‘Ligji i barabartë për të gjithë’, me akt konstatimi nr 111, datë 15-08/2022, rezulton se Ju shtetasja Lefkothea Karasa 82 vjeçe, lindur dhe banuese në Nartë, keni ndërtuar objekt pa leje (kotec pulash). Sipas VKM-së 589, dt 07/09/2022 detyroheni që: a) -Ta dhuroni; b)-Ta parablini me çmimin real të tregut; c)- T’ju sekuestrohet.
Nëna u mendua gjatë, shih burrat dhe shih nga rruga me fytyrën e zverdhur dhe duar të dridhura. “Pa merak nëno, nuk ka ardhur policia, ne jemi përfaqësues të tre institucioneve, -unë jam nga qeveria, ai nga KKT dhe ky tjetri nga pushteti vendor”-saktësoi burri, një kallof i gjatë.
Lefkothea çoi edhe një herë në mendje gjithë atë gjëmë që kaloi, nga tërheqja zvarrë nga forcat e policisë, marrja në pyetje në komisariat dhe procedimi penal për “ndërtim të paligjshëm”. Në fund vendosi që ta dhurojë me kënaqësi.
“Për këtë duhet një akt notarial”-tha sërish i njëjti burrë me kollare lule-lule në qafë, duke vijuar në sqarim të butë: -“Padyshim, i gjithë procesi duhet të kryhet në transmetim direkt para kamerave, për marrjen në dorëzim të objektit (kotec pulash)”-tha ai. “Deri më tani na e ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë gjest vetë kryeministri”-shtoi plot emocion përfaqësuesi lokal. Më hijerëndë dukej ai i KKT-së (Këshillit Kombëtar të Terrirotorit), por edhe ai e tha fjalën e tij.
“U bë çfarë u bë nuk kthehet pas më, t’i do të përballesh me ligjin, por edhe përfaqësuesit e INUV-it dhe INUK-ut pas do të të vijnë”-kërcënoi me lezet trupshkutri i KKT-së, i cili për ves profesional, në fund të çdo fjalie bënte “grrau, grrau”, duke imituar fadromën matrapik.
“Po sikur ta parablej, sepse kanë dhjerë katër pula dhe një gjel që se kontrolloj dot”-tha e moshuara. “Domethënë edhe pse ndërtim pa leje e ke përdorur për qëllime biznesi”-tha ai me kollare lule-lule, duke bërë një pyetje zhbiriluese. E moshuara po vetë nduku gjuhën dhe përfundimisht e vendosi: “Jo, jo, ua kam dhuruar, aman vetëm me polici mos me merrni”! -“U kuptuam?”-tha përfundimisht gjatoshi me kollare me lule, ngjyrat e së cilës ngjanin me jashtëqitjen e pulave. Ai i kujtoi të moshuarës se shpenzimet noteriale do i paguante vetë “ndërtuesja”, por privilegji i madh i saj është se emri i Lefkotheas do të renditej në mes të të gjithë oligarkëve të kullave dhe pallateve pa leje që kanë vendosyur që t’i dhurojnë objektet pa leje. Koteci i pulave në Nartë dhe katet shtesë të kullave janë njësoj, sepse “ligji është i barabartë për të gjithë”.
I kthyen shpinën pa i thënë as mirupafshim 82-vjeçares, bënë edhe foto nga të katër anët të kotecit 6.3 metra katrorë dhe u larguan, por pa ecur as 20 metra rrugë, tre përfaqësuesit e lartë të qeverisë u zverdhën nga gjëma që panë me sy. Numëruan 16 hale pa leje në Nartë.
Njëra ishte më e lartë dhe e gjerë, ndërsa 15 të tjera thuajse njësoj. Llogaritë dolën, madje teproi një. Ai i pushtetit vendor nisi të bëlbëzoje. “Një kryeministri, 14 miniatrat, del një tepër”. “Ia gjejmë zgjidhjen edhe asaj. Kemi nënkryeministren që mban edhe post ministror, qejfmbetje nuk do të ketë”-tha si në formë vendimi të prerë gjatoshi me kollare plot lule.
“Mos del keq”-këmbënguli prap ai i pushtetit vendor. “Jo, jo, do sekuestrohen, VKM-ja është e qartë, ligji është i barabartë për të gjithë, të 16 objektet do të sekuestrohen për interes të qeverisë, kur të kalojnë këtej rrugës mos ndalen në lokale, por të kryejnë nevojat lirshëm në banjot në pronësi qeveritare”-theksoi gjatoshi. U tha u bë, por ai i KKT-së këtë herë nuk shqiptoi asgjë, por lëshoi një gërr, gërr, gërrrr! Misioni u krye!
Rruga Press