Pse Serbia dëshiron në Union ku janë armiqtë e saj, hipokritët dhe fashistët
Shkruan Augustin Palokaj
Pushteti i Aleksandar Vuçiqit në Serbi ka krijuar një klimë ekstremisht antiperëndimore. Vendet perëndimore paraqiten si “hipokrite”, “armiqësore” e madje edhe “fashiste”, që bëjnë presion ndaj Serbisë, duan “t’ia marrin Kosovën, duke shkelur të drejtën ndërkombëtare” dhe “ta izolojnë Serbinë”. Miqtë, ndërkaq, janë Rusia, Kina, Irani, Turqia dhe, që është shumë e çuditshme, edhe Shqipëria. Shtrohet pyetja se pse Serbia thotë se do të integrohet në BE, në unionin ku janë të gjithë ata “armiq, fashistë, hipokritë dhe shkelës të së drejtës ndërkombëtare”
Javën e shkuar, kur në Pragë të Çekisë u zhvillua samiti i parë i “Bashkësisë politike evropiane”, ndodhi edhe momenti i së vërtetës në raportet e Kroacisë dhe Serbisë. Doli në shesh se më shumë se 20 vjetët e shkuar ishte një lloj aktrimi se raportet po përmirësoheshin dhe se këto dy shtete mund të bëhen edhe shembuj se si tejkalohen ndasitë nga e kaluara e tmerrshme.
Gjithçka kulmoi kur presidenti i Serbisë, Aleskandar Vuçiq, një person me deklarata dhe sjellje të dëshmuara fashiste nga e kaluara e tij, nuk u përmbajt dhe e krahasoi Kroacinë e sotme si vazhdimësi të NDH-së, një krijesë fashiste në kohën e Luftës së Dytë Botërore.
“Kroatët nuk bëjnë asgjë tjetër që nuk kanë bërë që nga viti 1941”, tha Vuçiqi, duke komentuar lajmin se BE-ja nuk kishte vendosur t’ia lejonte Serbisë importin e naftës së papërpunuar ruse përmes territorit të Kroacisë. Fakti se në mesin e shteteve që nuk e kishin mbështetur idenë që Serbia të ketë mundësi përjashtimi nga sanksionet ndaj naftës ruse ishte edhe Kroacia, mjaftoi që të shpërthejë urrejtja nga Beogradi ndaj Kroacisë dhe kësaj radhe jo vetëm në mediat e kontrolluara nga regjimi, por edhe nga vetë presidenti i shtetit, kryeministrja dhe ministri i Punëve të Brendshme.
“Ky është akt armiqësor”, u shpreh kryeministrja Ana Brnabiq.
Kroacia nuk e la pa reaguar. Reagimi ishte mjaft i matur, pa përdorur fjali nxitëse. Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, vetëm sqaroi se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë dhe pse Kroacia nuk pranoi që Serbia të ketë mundësi të importojë naftë ruse, kur të tjerët nuk do ta kenë këtë mundësi dhe atë përmes territorit të Kroacisë. Plenkoviq sqaroi se ky ishte një vendim i BE-së dhe jo vetëm i Kroacisë. Sqaroi, po ashtu, se Serbia nuk varet nga nafta ruse, sepse mund të blejë naftë nga burimet e tjera dhe pa problem nga bregdeti kroat përmes naftësjellësit të Adriatikut, ta sjellë në Serbi për ta përpunuar në rafinerinë e saj. Dhe, sqaroi Plenkoviq, ky ishte një rast për t’i treguar Serbisë se thjesht nuk është e mundur të ulet në dy karrige dhe të shpërblehet nga BE-ja pse nuk po i mbështet sanksionet ndaj Rusisë.
“Çfarë mendoni që jemi ne? Ne te blejmë naftë më të shtrenjtë sepse kemi parime dhe duam ta sanksionojmë Rusinë, e në anën tjetër të lejojmë që Serbia për shkak se ka një marrëveshje me Putinin, të blejë naftë të lirë ruse dhe përmes territorit tonë ta sjellë. Kush jemi ne. Budallenj të dobishëm?”, tha kryeministri i Kroacisë, duke konstatuar se “Serbia mund të marrë sa të ketë nevojë naftë përmes Kroacisë, por jo naftë ruse”.
Fakti se Kroacia nuk ishte as vend i vetëm, madje as më i zëshmi kundër dhënies Serbisë të një të drejte që as vendet e BE-së nuk e kanë, nuk ndihmoi shumë. I gjithë mllefi nga Serbia u derdh ndaj Kroacisë.
Deri tash në Kroaci skena politike, shoqëria civile dhe mediat nuk janë marrë aq shumë me ofendimet dhe gjuhën e urrejtjes që vjen nga Serbia. Por tash kjo është bërë temë që ka unifikuar gjithë skenën politike. Sepse nuk mund të tolerohet që Serbia, Kroacinë e sotme ta krahasojë me fashizmin. Fundi i fundit, në Kroaci asnjëherë nuk ka pasur mohime të krimeve që kanë bërë ustashët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Vazhdimisht në memorialin e krimeve në Jasenovc, ku shumica e madhe e viktimave ishin serbë, presidentët dhe kryeministrat e Kroacisë vendosin lule dhe bëjnë homazhe. Madje edhe në Kushtetutën e Kroacisë përmendet Lufta Nacionalçlirimtare kundër fashizmit si bazë e shtetësisë së Kroacisë. Dhe për NDH-në (Shteti i Pavarur Kroat) shumica e madhe e thonë se nuk ishte “as shtet, as i pavarur e as kroat”, por një kukull fashiste, që Italisë ia kishte falur bregdetin dalmatin. Por ka gjithsesi lëvizje dhe individë që e glorifikojnë edhe fashizmin, që ka edhe në vendet e tjera për fat të keq. Në asnjë mënyrë ata nuk paraqesin as shumicën, as opinionin, e sidomos jo politikën shtetërore.
Për dallim nga kjo, në Serbi sot janë në pushtet ish-bashkëpunëtorët e Slobodan Milosheviqit. Vetë Vuçiqi ishte ministër në qeverinë e tij, ndërsa bashkëpunëtorë të ngushtë ishin edhe Ivica Daçiq dhe Aleksandar Vulin. Ata sot vazhdojnë politikën e Milosheviqit, sidomos ndaj Kosovës, pasi ndaj Kroacisë janë të pafuqishëm, sepse ajo, mes të tjerash, është anëtare e BE-së dhe NATO-s. Vuçiqi thotë për Milosheviqin se ishte një “lider i madh”. Nuk tregojnë as minimumin e respektit për viktimat e krimeve të kryera nga ky regjim në Kosovë dhe nga forcat serbe në Kroaci dhe në Bosnjë-Hercegovinë. Mohimi i gjenocidit në Srebrenicë është politikë zyrtare shtetërore e Serbisë. Të dënuarit për krime lufte kanë hapësirë të madhe në media, por edhe në jetën politike në Serbi.
Regjimi i Aleksandar Vuçiqit jeton duke krijuar armiq të jashtëm, duke folur për “presion të padurueshëm” dhe për “hipokrizi”. Fjala hipokrizi është bërë fjala ndoshta më e përdorur në fjalorin e liderëve politikë të Serbisë, duke e krahasuar invazionin e Rusisë ndaj Ukraninës me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë dhe pavarësimin e Kosovës”: “Çfarë hipokrizie – flasin për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe nuk duan t’ia njohin të njëjtën të drejtë Serbisë”, thonë ata.
Pushteti i Aleksandar Vuçiqit në Serbi ka krijuar një klimë ekstremisht antiperëndimore. Vendet perëndimore paraqiten si “hipokrite”, “armiqësore” e madje edhe “fashiste”, që bëjnë presion ndaj Serbisë, duan “t’ia marrin Kosovën, duke shkelur të drejtën ndërkombëtare” dhe “ta izolojnë Serbinë”. Miqtë, ndërkaq, janë Rusia, Kina, Irani, Turqia dhe, që është shumë e çuditshme, edhe Shqipëria. Vuçiqi u tha gazetarëve se në Pragë, kur është folur për “aktin armiqësor të Kroacisë” kinse Serbia ka pasur mbështetje nga kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, dhe nga ai i Shqipërisë, Edi Rama.
“Mirëkuptimi” që kërkon shpesh Edi Rama për Serbinë ka nisur t’i irritojë disa diplomatë evropianë, saqë pyesin “a mos ka ndonjë interes personal”. Por të tjerët thonë se mund të jetë “vetëm një kapric personal i Ramës” pse nuk ka mbështetje të duhur për idenë e “Ballkanit të Hapur”. Në BE i gëzohen rritjes së bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Serbisë, që është edhe një prej kushteve në procesin e integrimeve evropiane në kuadër të nevojës për bashkëpunim rajonal. Por në kohën kur rritet presioni ndaj Serbisë që të dëshmojë se është e sinqertë kur thotë se dëshiron të jetë pjesë e BE-së, dhe të mbështesë sanksionet ndaj Rusisë, duket i pavend qëndrimi i kryeministrit të Shqipërisë që BE-ja të ketë mirëkuptim dhe të mos bëjë presion ndaj Serbisë. Aq më tepër kur vetë Shqipëria 100 për qind i ka mbështetur sanksionet dhe kur Shqipëria është vend anëtar i NATO-s. Kështu duket pothuajse absurde që sot Serbia të ketë “raportet më të mira në histori” me Shqipërinë, ndërsa të thotë se është në armiqësi të hapur me Kroacinë.
Shtrohet pyetja se pse Serbia thotë se do të integrohet në BE, në unionin ku janë të gjithë ata “armiq, fashistë, hipokritë dhe shkelës të së drejtës ndërkombëtare”. Koha ka ardhur që Serbia të vendosë, sepse nuk mund t’i ketë zemrën dhe miqësinë të kthyer nga Rusia, Kina e Irani e të pretendojë se është e përkushtuar për integrim në BE, nga edhe ka investimet më të mëdha, shkëmbimin më të madh tregtar dhe ndihmën më të madhe financiare. /KOHA/