Problemet e Rusisë në front përballë kritikash të brendshme në rritje
Ministria ruse e Mbrojtjes po kritikohet nga aktorë të ndryshëm brenda vendit, thuhet në një raport të fundit të zbulimit britanik, postuar në Twitter të shtunën nga ministria britanike e Mbrojtjes. Kritikat në rritje janë rezultat i problemeve të vazhdueshme që po has Moska në dy javët e fundit në fushën e betejës në Ukrainë.
Mes kritikëve është udhëheqësi çeçen Ramzan Kadyrov, pronari i kompanisë private ushtarake ‘Wagner Group’, Yevgeny Prigozhin, prezantues televizivë të njohur për lidhjet e tyre me qeverinë, yje të muzikës pop dhe një komunitet gjithnjë e më i zëshëm blogerësh ushtarakë ultra-nacionalistë.
Ministria britanike e Mbrojtjes tha se kritikat janë të përqendruara tek komanda e lartë ushtarake dhe jo udhëheqësit e lartë politikë, por ajo përfaqëson një prirje të shprehjes publikisht të mospajtimit me institucionet ruse.
Ndërkohë Moska njoftoi se një kamion nga shpërthyer në një urë që lidh Krimenë me Rusinë, duke shkaktuar dëmtim të saj.
Deri tani askush nuk ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin, por Mykhailo Podolyak, këshilltar i presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy, postoi në Twitter një foto të urës së dëmtuar ku shkruhej “Krime, ura, fillimi. Çdo gjë e paligjshme duhet të shkatërrohet, gjithçka e vjedhur duhet t’i kthehet Ukrainës, gjithçka e pushtuar nga Rusia duhet marrë”.
Rusia i ka përqendruar sulmet në ato zona të Ukrainës që pretendon se i ka aneksuar, përfshirë qytetin lindor Kharkiv dhe atë në jug të vendit Zaporizhia.
Kryetari i bashkisë së Kharkivit Ihor Terekhov shkruante në rrjetin social Telegram se sulmet me raketa goditën qendrën e qytetit të shtunën herët në mëngjes. Ai tha se si pasojë disa ndërtesa morën flakë mes tyre edhe një qendër mjekësore.
Guvernatori i rajonit të Zaporizhias tha se forcat ruse goditën të premten me raketa kryeqytetin e këtij rajoni dhe për herë të parë përdorën drone Shahed-136 të prodhuar nga Irani.
Numri i të vdekurve nga sulmet e mëparshme me raketa ndaj ndërtesave të banimit në qytetin e Zaporizhias ka arritur në 14.
Në zona të tjera të aneksuara nga Moska, Ministria ruse Mbrojtjes njoftoi se forcat e saj kishin arritur të zmbrapsin trupat e Ukrainës pranë qytetit të Limanit dhe kishin rimarrë tre fshatra në tjetër rajon të Donetskut. Ministria tha se forcat ruse kishin arritur gjithashtu të pengonin përparimin e trupave ukrainase në disa fshatra në rajonin Khersonit./VOA
Rruga Press