Bideni paralajmëron për rrezikun e një lufte bërthamore
Rreziku i një “Armagedoni” bërthamor është në nivelin e tij më të lartë që nga kriza e raketave Kubane e vitit 1962, ka thënë presidenti amerikan, Joe Biden.
Bideni ka thënë të enjten mbrëma se presidenti rus, Vladimir Putin “nuk po bënte shaka” kur foli për përdorimin e armëve taktike bërthamore pas pengesave në Ukrainë, raportoi BBC-ja të premten.
“Shtetet e Bashkuara po përpiqen ta kuptojnë mënyrën e daljes së Putinit nga lufta”, ka thënë Bideni.
SHBA-ja dhe BE-ja kanë thënë më parë se paralajmërimi për sulm bërthamor i Putinit duhet të merret seriozisht.
Megjithatë, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, javën e kaluar tha se, pavarësisht nga sugjerimet bërthamore të Moskës, SHBA-ja nuk kishte parë asnjë shenjë se Rusia po përgatitej së shpejti të përdorte një armë bërthamore.
Ukraina ka rimarrë territorin e pushtuar nga Rusia gjatë pushtimit të saj që filloi më 24 shkurt, duke përfshirë disa prej rajoneve që Rusia aneksoi ilegalisht kohët e fundit.
Për disa muaj zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se Rusia mund të përdorë armët e shkatërrimit në masë, nëse pëson pengesa në fushën e betejës.
Gjatë një fjalimi të premten e kaluar, udhëheqësi rus tha se SHBA-ja kishte krijuar një “precedent” duke përdorur armë bërthamore kundër Japonisë në fund të Luftës së Dytë Botërore.
Rruga Press