Deputetja suedeze e Parlamentit Evropian preu flokët në shenjë solidariteti me gratë në Iran
Një deputete suedeze e Parlamentit Evropian preu flokët gjatë fjalimit të saj në Parlamentin e Bashkimit Evropian në mbështetje të protestave në Iran që filluan pas vdekjes së Mahsa Aminit.
“Derisa Irani të jetë i lirë, zemërimi ynë do të jetë më i madh se shtypësit. Derisa gratë e Iranit të jenë të lira, ne do t’ju qëndrojmë pranë”, ka thënë Abir Al-Sahani, me origjinë nga Iraku, teksa iu drejtua Parlamentit të Bashkimit Evropian.
Pastaj ajo mori gërshërët dhe tha “Jin, Jiyan, Azadi” – që do të thotë “grua, jetë, liri” në gjuhën kurde, dhe më pas i preu flokët shkurt.
Protestat për vdekjen e Mahsa Aminit vazhdojnë ende në Iran dhe kanë tërhequr vëmendjen e publikut botëror për të drejtat e grave në këtë vend. Shumë zyrtarë botërorë kanë dhënë mbështetje për gratë në Iran, ndërsa autoritetet lokale kanë shprehur keqardhjen e tyre për vdekjen e një vajze të re, por kanë pohuar se anarkia në rrugë nuk është e lejueshme.
Rruga Press