Kurti: Rinia në fokus të politikave qeveritare
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se rinia është në fokus të politikave dhe angazhimeve qeveritare.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se rinia është në fokus të politikave dhe angazhimeve qeveritare.
Në ceremoninë e certifikimit të 100 të rinjve e rejave nga të gjitha komunitetet, për punën praktike në institucione, Kurti ka thënë se zhvillimi i vendit varet nga ndihma dhe trajtimi që i bëhet rinisë, bëhet e ditur në një komunikatë të Qeverisë.
Ai ka kujtuar se në Kosovë mosha mesatare është vetëm 31 vjeç.
Kurti ka thënë se Qeveria është e përkushtuar të shtojë mundësitë për aftësimin dhe punësimin me politika të ndryshme, “siç është ajo e lansuar gjatë verës ‘një i punësuar në çdo familje’”. “Ashtu që asnjë familje në vendin tonë të mos ngelet pa e pasur së paku një të punësuar”, thuhet në komunikatë.
“E përderisa po jetësojmë skemën e punësimit të garantuar për të rinjtë, në Pakon e Ringjalljes Ekonomike, po vazhdojmë mbështetjen e projekteve të organizatave rinore, tha ai”, vazhdon njoftimi.
Për të shtuar vendet e punës dhe zbutur pabarazinë mes të rinjve, Kurti ka thënë se është nisur ofrimi i arsimit dual në katër profile, që të lidhen nevojat e tregut të punës me planprogramet. “Kështu synohet lidhja e urëzimi i hendekut të shkathtësive dhe zëvendësimi i emigrimit me punësim”, ka thënë Kurti.
“Për këtë Qeveria ka ndarë 3.5 milionë euro për ofrimin e praktikës profesionale për nxënësit e shkollave të arsimit dhe aftësimit profesional, 106 bursa për nxitjen e vajzave për të ndjekur profile teknike dhe djemve për të ndjekur profile deficitare, si dhe rreth 1000 kuponë për maturantë të shkollave profesionale për të ndjekur kurse të teknologjisë së informacionit. Për të mbyllur hendekun ekzistues gjinor në profesione, në vitin akademik 2021/2022, janë ndarë 1365 bursa universitare për studentet në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës, apo siç njihet ndryshe STEM”, thuhet në njoftim.
100 të rinjtë kanë punuar për gjashtë muaj në institucione. Projekti u zbatua nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministër dhe u mbështet me 90 mijë euro nga Ambasada e Norvegjisë.
Rruga Press